Gazetari Egon Loli, në emisionin “Dita Jonë”, ka hedhur dritë mbi disa detaje tronditëse nga dosja famëkeqe “Epstein”, duke theksuar edhe përfshirjen indirekte të Shqipërisë në këtë skandal ndërkombëtar. Sipas tij, në dokumentet e bëra publike nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, përmendet edhe një vajzë shqiptare që jetonte në New York, e cila rezulton të ketë qenë kandidate për asistente personale e Jeffrey Epstein.
Në shkëmbimet e email-eve të zbuluara, ajo përshkruhet si e gatshme të kryejë “çdo detyrë” që i kërkohej, një formulim që, sipas Lolit, nënkupton natyrën e errët të rrjetit të ndërtuar nga Epstein.
Gazetari theksoi se Shqipëria përmendet edhe në komunikime të disa figurave të larta evropiane me Epstein, ku flitet për “eksperienca” me vajza shqiptare, çka sugjeron një rrjet të organizuar shfrytëzimi. Sipas tij, këto dokumente zbulojnë hipokrizinë e elitave politike perëndimore dhe tregojnë se skandali Epstein nuk ishte një rast i izoluar, por pjesë e një mekanizmi të gjerë shantazhi dhe manipulimi.
Publikimi i mbi 3 milionë faqeve materiale pritet të sjellë edhe emra të tjerë, duke thelluar më tej tronditjen globale. (A2 Televizion)