Një grup shkencëtarësh kanë bërë me dije për gjigantin britanik BBC se bota është në rrugën e duhur për vitin e saj më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, ndërsa planeti po përballet me ngrohje për shkak të ndryshimeve klimatike dhe fenomenit El Niño.
Paralajmërimi vjen ndërsa udhëheqësit dhe negociatorët botërorë mblidhen në Turqi të hënën për hapjen e Samitit të Kombeve të Bashkuara për Klimën.
Berkeley Earth, grupi i pavarur kërkimor amerikan që qëndron pas këtij parashikimi, tha se edhe për dy muajt e mbetur nga viti është 95% e sigurt se viti 2026 do të tejkalojë rekordin e mëparshëm të ndodhur në vitin 2024.
Ndikimi i rritjes së nxehtësisë është ndjerë ndjeshëm në muajt e fundit nga vendet që marrin pjesë në samit, me zjarre të mëdha në gjithë Evropën dhe shembjen e papritur të akullnajave në Nepal, e cila vrau më shumë se 1.000 persona.
“Kemi pasur një seri vitesh të ngrohta rekord”, tha doktor Robert Rohde nga Berkeley Earth. “Kjo është ajo që presim ndërsa ngrohja globale përparon: akullnajat që shemben, valë të nxehta rekord dhe thatësira”.
Të premten, shërbimi klimatik Kopernikus i BE-së konfirmoi se tetori ishte më i nxehti i regjistruar ndonjëherë, por Rohde paralajmëroi se ky ishte vetëm fillimi.
“Ekziston potenciali për ndryshime shumë të mëdha dhe shumë më dramatike në të ardhmen”, tha ai.
Shkaku kryesor i rritjes së temperaturave ka qenë përqendrimi në rritje i dioksidit të karbonit në atmosferë, kryesisht i shkaktuar nga djegia e lëndëve djegëse fosile.
Organizata Botërore Meteorologjike e OKB-së publikoi raportin e saj të hënën dhe, megjithëse më e kujdesshme se Berkeley Earth, ka parashikuar se viti 2026 do të jetë ndër katër vitet më të ngrohta të regjistruara ndonjëherë. (A2 Televizion)