Egnatia vazhdon marshimin drejt titullit, ndërsa Skënderbeu konfirmon formën pozitive. Java e 11 e Abissnet Superiore u mbyll këtë të diel me dy përballje interesante.
Në Korçë, Skënderbeu arriti një fitore të rëndësishme 2 me 0 ndaj Dinamos City, një sfidë me shumë tension, ku fillimisht Bruno Dita humbi një penallti për dinamovitët në minutën e 63-të.
Shtatë minuta më vonë, Sale Naser u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke kaluar korçarët në avantazh. Ndërsa katër minuta para përfundimit të kohës së rregullt, Charles Bismark vulosi suksesin. Kjo është ndeshja e pestë radhazi pa humbje për Skënderbeun, që ngjitet në kuotën e 14 pikëve.
Spektakli i ditës u dhurua në Rrogozhinë. Egnatia shkatërroi Vorën me rezultatin 5-1, duke regjistruar fitoren e tretë radhazi në kampionat. Kryeziu zhbllokoi sfidën, ndërsa Karreca riktheu përkohësisht baraspeshën për miqtë. Por në pjesën e dytë Adjesa, Fernando, Kasa dhe Albaneze kompletuan një fitore bindëse për kampionët në fuqi, që u shkëputën në krye me 27 pikë, plot shtatë më shumë se Teuta.
Ndërkohë, të shtunën Partizani fitoi 1-0 në transfertë ndaj Laçit, falë penalltisë së Spajiut. Tirana mposhti Teutën me golin e Daçit në minutat e fundit, ndërsa Vllaznia triumfoi 1 me 0 ndaj Elbasanit me golin e të riut Sokol Uldjaj.
Një javë pozitive për Egnatian, ndërsa gara për kreun dhe mbijetesën mbetet e hapur. (A2 Televizion)