Udhëheqësi nacionalist turk Devlet Bahçeli ka bërë thirrje që Parlamenti i Republikës Turke të Qipros Veriore të mbajë një votim për bashkimin me Turqinë, vetëm dy ditë pas zgjedhjes së Tufan Erhurman si president i ri i komunitetit turko-qipriot.
Bahçeli, aleat i ngushtë i presidentit Rexhep Tajip Erdoğan dhe figura kryesore e Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP), deklaroi se çdo përpjekje për një zgjidhje federale të çështjes qipriote është e papranueshme, shkruan A2 CNN. “Parlamenti i Republikës Turke të Qipros Veriore duhet të mblidhet urgjentisht, të shpallë rezultatet e zgjedhjeve dhe të deklarojë se rikthimi në modelin federal është i papranueshëm. Ai duhet të votojë për t’u bashkuar me Republikën e Turqisë”, tha Bahçeli gjatë një fjalimi në grupin parlamentar të partisë së tij.
Këto deklarata vijnë në një moment kur fitorja e politikanit të qendrës së majtë, Tufan Erhurman, është parë nga shumë analistë si një mundësi e re për rinisjen e bisedimeve paqësore midis dy komuniteteve të ishullit, atij greko-qipriot dhe turko-qipriot. Erhurman ka premtuar se do të përpiqet të ringjallë negociatat e ngecura prej tetë vitesh.
Presidenti Erdoğan e ka uruar Erhurmanin për fitoren e tij në zgjedhjet e së dielës, por komentet e Bahçelit nënvizojnë tendencën e bllokut nacionalist për ta thelluar lidhjen politike dhe territoriale të Qipros Veriore me Ankaranë.
Ishulli i Qipros është ndarë që prej vitit 1974, pas pushtimit turk që pasoi një grusht shteti të mbështetur nga Athina. Që prej asaj kohe, vetëm Turqia e njeh Republikën Turke të Qipros Veriore, ndërsa pjesa tjetër e botës e njeh qeverinë greko-qipriote në jug si përfaqësuese të vetme legjitime të Qipros.
Bisedimet për ribashkimin e ishullit dështuan në vitin 2017, dhe që atëherë tensionet midis dy palëve kanë mbetur të ngrira, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për rifillimin e dialogut. (A2 Televizion)