“Po shkon në burg një i pafajshëm”. Sarkozy, ish-presidenti i parë në Francë që përfundon pas hekurave

Nga Rosalba Bejdo
21 Tetor 2025, 12:32 | Bota

Dorë për dore me bashkëshorten e tij Carla Bruni, në mes brohorimave të mbështetësve të mbledhur pranë vilës në distriktin e 16 të Parisit, Nikolas Sarkozi iu drejtua burgut për të vuajtur një dënim me 5 vite heqje lire.

Më shumë se 100 qytetarë u mblodhën për ta përkrahur ish-presidentin pas thirrje së djalit të tij Luis. Teksa 70-vjeçari i drejtohej automjetit që do ta shoqëronte në qeli, turma e përshëndeste duke kënduar himnin kombëtar, Marsejezën.

Pas një udhëtimi prej 25 minutash, i shoqëruar nga një autokolonë e forcave të sigurisë, mbërriti në burgun e La Sante në Monparnasë, duke u bërë kështu i pari ish-President i Francës që hyn në burg.

Që kur udhëheqësi kolaboracionist i nazistëve në Luftën e Dytë Botërore, Philippe Pétain, u burgos për tradhti në vitin 1945, asnjë ish-udhëheqës francez nuk ka shkuar pas hekurave.

Sarkozi që ka shërbyer si President nga vitet 2007 deri në 2012, u shpall fajtor për komplotim në financimin e fushatës së tij elektorale me ish-diktatorin Muamar Gadafi. Ai ka apeluar kundër dënimit ndërsa avokatët thanë se kanë paraqitur një kërkesë për lirim dhe se gjykata ka 2 muaj kohë për të vendosur.

Gjatë rrugës për në burg, Sarkozi shkroi në “X” se në burg nuk po shkonte një ish-President, por një i pafajshëm. "Nuk kam asnjë dyshim. E vërteta do të triumfojë. Por, çmimi për t’u paguar do të jetë dërrmues”, ishin fjalët  e tij.

Ai tha se ndjente keqardhje për Francën, që siç pohoi ishte turpëruar nga dëshira për hakmarrje.

Sarkozy ka thënë se nuk dëshiron trajtim special në burg. Megjithatë, ai do të qëndrojë në një qeli prej 9 metrash katrorë në repartin e izoluar të strukturës, për sigurinë e tij, pasi të dënuarit e tjerë janë narkotrafikantë të rrezikshëm ose të akuzuar për terrorizëm.

Brenda qelisë do të ketë tualet, dush, një tavolinë dhe televizor të vogël. Do të lejohem të stërvitet jashtë për një orë në ditë, por jo në prani të të dënuarve të tjerë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos