
SHBA-të kanë zhvilluar negociata të rregullta me Danimarkën për të zgjeruar praninë e saj ushtarake në Groenlandë, ku sipas shumë zyrtarëve që kanë dijeni mbi diskutimet, bisedimet midis të dyja palëve që kanë përparuar në muajt e fundit.
Zyrtarët amerikanë po kërkojnë të hapin tre baza të reja në jug të territorit, një pjesë gjysmë-autonome e Danimarkës, ndërsa punojnë për të zgjidhur një krizë diplomatike të shkaktuar nga Presidenti Donald Trump kur ai kërcënoi të pushtonte Groenlandën me forcë.
Trump tha në janar se SHBA-të duhet ta “zotërojnë” Groenlandën për të parandaluar që Rusia ose Kina ta marrin atë. Ai tha se kjo mund të ndodhë “në mënyrën e lehtë” ose “në mënyrën e vështirë”.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi se administrata ishte e angazhuar në bisedime të nivelit të lartë me Groenlandën dhe Danimarkën, por nuk pranoi të komentonte mbi detajet e negociatave. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i tha BBC-së se administrata ishte shumë optimiste se bisedimet po shkonin në drejtimin e duhur, shkruan A2CNN.
Danimarka më parë ka shprehur gatishmërinë për të diskutuar baza shtesë ushtarake amerikane në Grenlandë dhe ministria e saj e jashtme konfirmoi se po zhvilloheshin bisedime me SHBA-në. "Ekziston një rrugë diplomatike në vazhdim me Shtetet e Bashkuara. Ministria e Punëve të Jashtme nuk do të hyjë në detaje të mëtejshme në këtë kohë", tha një zëdhënës.
Zyrtarët amerikanë kanë propozuar një marrëveshje sipas së cilës tre bazat e reja ushtarake do të përcaktohen zyrtarisht si territor sovran i SHBA-së, sipas një burimi me njohuri mbi negociatat.
Bazat do të jenë në Groenlandën jugore dhe do të përqendrohen kryesisht në mbikëqyrjen e aktivitetit të mundshëm detar rus dhe kinez në një zonë të Atlantikut verior midis Groenlandës, Islandës dhe Mbretërisë së Bashkuar të njohur si Hendeku GIUK.
Të dyja palët nuk kanë rënë dakord zyrtarisht ende për asgjë dhe numri përfundimtar i bazave mund të ndryshojë, thanë burimet. Një nga bazat e reja ka të ngjarë të jetë e vendosur në Narsarsuaq, në vendin e një ish-baze ushtarake amerikane që strehonte një aeroport të vogël.
(A2 Televizion)