
Izraeli ka miratuar një ligj të ri për vendosjen e dënimit me vdekje dhe zhvillimin e gjyqeve publike për personat e përfshirë në sulmet Hamasit dhe marrjen masive të pengjeve në Izrael në tetor të vitit 2023, shkruan A2CNN.
Legjislacioni u miratua me 93 vota pro dhe asnjë kundër në parlamentin izraelit, Knesset, dhe u mbështet si nga politikanë të qeverisë, ashtu edhe nga opozita.
27 ligjvënësit e tjerë munguan ose abstenuan.
“Le të shohë secili se si viktimat dhe familjet e tyre i shikojnë drejt në sy ata vrasës, përdhunues dhe rrëmbyes”, deklaroi Yulia Malinovsky, një nga iniciatoret e projektligjit, gjatë një konference për shtyp përpara votimeve parlamentare.
“Le të shohë secili se si Shteti i Izraelit është një shtet sovran që di t’i mbajë përgjegjës ata që e kanë dëmtuar”, tha politikania e opozitës.
“Kemi arritur vijën e finishit, e cila në fakt është vija e nisjes: fillimi i gjyqeve historike, të cilat do t’i shohë e gjithë bota.”
Grupet izraelite të të drejtave të njeriut kanë reaguar kundër ligjit të ri, duke kundërshtuar parimin e dënimit me vdekje, por edhe duke paralajmëruar kundër “gjyqeve spektakël”, të bazuara në rrëfime që pretendohet se janë marrë nën torturë.
7 tetori i vitit 2023 ishte dita më vdekjeprurëse në historinë e Izraelit. Luftëtarët e udhëhequr nga Hamasi vranë mbi 1,200 persona në jug të Izraelit, shumica civilë. 251 të tjerë u rrëmbyen dhe u mbajtën peng në Rripin e Gazës, përfshirë burra, gra, fëmijë dhe shtetas të huaj.
(A2 Televizion)