
Kriza politike në Londër po thellohet me shpejtësi, ndërsa kryeministri britanik Keir Starmer përballet me revoltë të hapur brenda Partisë Laburiste dhe me një kabinet të ndarë mbi të ardhmen e tij politike.
Mediat britanike raportojnë se disa ministra po i kërkojnë Starmer-it të vendosë një afat për largimin nga posti, ndërsa të tjerë këmbëngulin se ai duhet të vazhdojë betejën për të shpëtuar qeverinë, shkruan A2CNN. Sot pritet të jetë një ditë kritike për kryeministrin britanik.
Sipas raportimeve, mbledhjet e fundit në Downing Street janë zhvilluar në një atmosferë tensioni të fortë, ku ministrat kanë diskutuar hapur nëse kryeministri mund të mbijetojë politikisht pas humbjeve të rënda të Laburistëve në zgjedhjet lokale. Mbi 70 deputetë laburistë dhe disa ndihmës ministrash kanë kërkuar publikisht dorëheqjen e tij.
Kriza u përshkallëzua pas rezultateve katastrofike në zgjedhjet lokale në Angli, Skoci dhe Uells, ku Laburistët humbën qindra vende në këshillat vendorë, ndërsa partia Reform UK e Nigel Farage fitoi terren të madh. Në Uells, Laburistët humbën kontrollin pas dekadash dominimi politik.
Në publik, Starmer është shfaqur sfidues. Në një fjalim të mbajtur të hënën, ai deklaroi se do t’u “provojë gabimin dyshuesve” dhe se nuk do të largohet për të futur vendin në “kaos politik”. Megjithatë, pas dyerve të mbyllura, sipas mediave britanike, presioni ndaj tij po rritet çdo orë.
Mbretëria e Bashkuar ka kaluar një periudhë të gjatë paqëndrueshmërie politike, duke pasur katër kryeministra në katër vitet e fundit. Tani, edhe qeveria e Starmer duket se po lëkundet seriozisht, me partinë në prag rebelimi dhe kabinetin të ndarë mes besnikërisë dhe kërkesës për ndryshim.
(A2 Televizion)