Autoritetet jordaneze kanë arrestuar sot 16 persona, duke parandaluar një komplot që kërcënonte sigurinë kombëtare të vendit dhe përfshinte sulme me raketa, eksplozivë dhe një fabrikë të prodhimit të dronëve.
Një burim sigurie tha se të dyshuarit janë të lidhur me organizatën palestineze Hamas, e cila akuzohet për nxitjen e protestave antiqeveritare në Jordani dhe ka qenë nën mbikëqyrje të ngushtë që nga viti 2021.
Sipas zëdhënësit të qeverisë Mohammad al-Maoumuni, anëtarët e Vëllazërisë Myslimane ishin përfshirë në një plan për të nisur sulme në infrastrukturën e vendit.
Sipas autoriteteve jordaneze, të paktën një raketë ishte gati për t'u lëshuar. “U gjet gjithashtu një fabrikë për prodhimin e dronëve”, tha Shërbimi Informativ i Përgjithshëm në deklaratën e transmetuar nga media shtetërore.
“Grupi synonte të dëmtonte sigurinë kombëtare, të mbillte kaos dhe të shkaktonte shkatërrim material brenda mbretërisë”, shtohet në deklaratë.
Autoritetet publikuan një video që tregonte të dyshuarit, disa prej të cilëve thanë se ishin rekrutuar nga Vëllazëria Myslimane. Disa morën para dhe u trajnuan jashtë vendit, veçanërisht në Liban, sipas një burimi të qeverisë jordaneze, i cili gjithashtu tha se të dyshuarit kishin raketa të gatshme me rreze veprimi 3 deri në 5 kilometra. (A2 Televizion)