Nga Franca në Korenë e Jugut, Trump gati të mbyllë 30 ambasada dhe konsullata amerikane

Nga A2 CNN
15 Prill 2025, 19:35 | Bota

Nga Franca në Korenë e Jugut, Trump gati të mbyllë 30

Administrata e Donald Trump po ecën përpara me një ristrukturim të madh të pranisë diplomatike amerikane, duke marrë parasysh mbylljen e afro 30 ambasadave dhe konsullatave në mbarë botën, sipas një dokumenti të brendshëm të Departamentit të Shtetit të zbuluar nga CNN.

Lista përfshin, ndër të tjera, ambasadat  amerikane në Maltë, Luksemburg, Lesoto, Republikën e Kongos, Republikën e Afrikës Qendrore dhe Sudanin e Jugut.

Në të njëjtën kohë, propozohet mbyllja e pesë konsullatave në Francë, dy në Gjermani, dy në Bosnje dhe Hercegovinë, një në Mbretërinë e Bashkuar, një në Afrikën e Jugut dhe një në Korenë e Jugut.

Dokumenti përfshin gjithashtu sugjerime për reduktimin e pranisë në dy vende "kyç" për politikën amerikane kundër terrorizmit, Irakun dhe Somalinë, si dhe për "ripërcaktimin e madhësisë" të misioneve të tjera diplomatike.

Nuk dihet ende nëse Sekretari i Shtetit Marco Rubio i ka miratuar propozimet, ndërsa CNN i ka referuar pyetje Departamentit të Shtetit për koment.

Ndryshimet e ardhshme janë pjesë e një plani më të gjerë për të ridizajnuar në mënyrë drastike funksionimin e qeverisë amerikane, e cila mban vulën e të ashtuquajturit Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), organi i krijuar nga Elon Musk, me qëllim thjeshtimin dhe kompresimin e qeverisë federale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos