Avionë luftarakë rusë janë detektuar pranë bregdetit të Alaskës, në një zhvillim që autoritetet ushtarake amerikane e konsiderojnë një tjetër përshkallëzim shqetësues të tensioneve mes dy vendeve. Lajmi u konfirmua të martën nga Komanda e Mbrojtjes Ajrore të Amerikës së Veriut (NORAD), shkruan A2 CNN.
Sipas deklaratës zyrtare, avionët rusë nuk kanë hyrë në hapësirën ajrore sovrane të Shteteve të Bashkuara apo të Kanadasë, por janë parë duke fluturuar brenda Zonës së Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore (ADIZ), një zonë që ndodhet përtej kufijve ajrorë sovranë, por ku avionët që hyjnë pritet të identifikohen.
Autoritetet nuk kanë dhënë detaje rreth numrit të avionëve, tipit të tyre apo qëllimit të këtij operacioni. Megjithatë, NORAD thekson se avionët janë monitoruar dhe situata nuk është konsideruar si një kërcënim i drejtpërdrejtë.
Ky incident vjen vetëm dy muaj pas një tjetër ngjarjeje të ngjashme, kur avionë ushtarakë rusë, përfshirë bombardues dhe avionë luftarakë, u afruan në të njëjtën zonë, duke detyruar avionët amerikanë të ndërhyjnë dhe t’i ndjekin ata nga afër. Dy ditë më vonë, Rusia dërgoi përsëri avionë në të njëjtën zonë në një tjetër demonstrim force.
Në një tjetër episod të tensionuar në shtator, një avion rus iu afrua rrezikshëm një avioni luftarak amerikan, duke shmangur përplasjen në sekondat e fundit. (A2 Televizion)