Antiterrori vihet në lëvizje, sulmohen me armë zjarri burgjet e Francës

Nga A2 CNN
15 Prill 2025, 16:58 | Bota

Antiterrori vihet në lëvizje, sulmohen me armë zjarri burgjet e

Natën e kaluar, disa burgje në Francë u sulmuan nga persona ende të paidentifikuar, si përgjigje ndaj përpjekjeve të qeverisë për të ashpërsuar masat kundër trafikut të drogës, shkruan A2 CNN. Autoritetet franceze e kanë cilësuar situatën si një "cunami" të kokainës që po përfshin vendin, ndërsa janë duke hetuar seriozisht ngjarjet e fundit.

Në qytetin jugor të Tulonit, persona të armatosur hapën zjarr me armë automatike drejt godinës së burgut, ndërsa në zona të tjera të vendit u dogjën automjete pranë burgjeve dhe stafi u kërcënua. Deri më tani, nuk është konfirmuar nëse sulmet kanë qenë të koordinuara apo kush qëndron pas tyre.

“Fatmirësisht, nuk kishte asnjë punonjës burgu në makinë apo duke kaluar në atë moment, sepse duke parë mënyrën si plumbat kanë depërtuar, mund të kishte përfunduar shumë më keq. Jemi me fat që nuk pati të lënduar apo viktima”, tha David Mantion, përfaqësues i sindikatës së punonjësve të burgjeve në rajon.

Ministri i Brendshëm, Gérald Darmanin, i cili ka udhëhequr fushatën për forcimin e sigurisë në burgje dhe luftën kundër bandave kriminale që veprojnë nga brenda qelive, njoftoi se do të vizitojë Tulonin për të parë nga afër situatën.

Ndërkohë, Prokuroria Kombëtare kundër Terrorizmit (PNAT) ka marrë përsipër hetimin për sulmet, ndërsa në ndihmë janë përfshirë edhe oficerët e inteligjencës së brendshme DGSI. Autoritetet janë në gatishmëri të lartë, ndërsa situata konsiderohet shumë serioze dhe në zhvillim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos