Tre persona janë arrestuar në Mirditë, të akuzuar për kultivim dhe shitje të lëndëve narkotike. Në pranga ranë, Akil Reçi, Martin Zefi dhe Erjon Zefi, dy të fundit vëllezër. Të 3 të arrestuarit dyshohet se janë bashkëpunëtorë me 2 shtetasit e arrestuar gjatë fazës së parë të operacionit, që u zhvillua 1 javë më parë.
“Nga hetimet janë identifikuar shtetasit M. Z. dhe E. Z. (vëllezër) dhe A. R., të cilët dyshohet se kanë kultivuar bimë narkotike dhe kanë prodhuar lëndë narkotike, me qëllim shitjen, në bashkëpunim me shtetasit P. M. dhe K. P., të arrestuar 1 javë më parë, në kuadër të fazës së parë të operacionit të koduar “Processing”, gjatë së cilës u sekuestruan rreth 33.7 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, si dhe u asgjësuan 220 bimë narkotike të kultivuara në fshatin Shtuf, Mirditë. Gjatë fazës së dytë, shërbimet e Policisë kanë gjetur afër një banese të vjetër në fshatin Shëngjergj, Mirditë, dhe kanë sekuestruar rreth 40 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, në proces tharjeje, 4 automjete dhe 5 celulare që dyshohet se përdoreshin nga autorët për veprimtarinë kriminale. Në përfundim të veprimeve hetimore u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. R., 33 vjeç, banues në Mirditë; M. Z., 34 vjeç, banues në Mirditë; dhe E. Z., 38 vjeç, banues në Mirditë”, tha policia.
Operacioni policor i koduar “Processing” vijon, me qëllim identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të kryera në bashkëpunim. (A2 Televizion)