Policia e Shtetit ka vënë në pranga një 29-vjeçar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar për një sërë veprimtarish kriminale, mes të cilave tentativë për grabitje me armë dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve.
Operacioni policor, i koduar “Identikiti”, u finalizua nga shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër dhe Komisariatin e Policisë Nr. 4, Tiranë.
Në kuadër të këtij operacioni, u lokalizua dhe u arrestua në Tiranë shtetasi F. B. alias F. B., 29 vjeç, i cili më datë 29 gusht 2025 kishte tentuar të grabiste një argjendari në lagjen “Vasil Shanto” të Shkodrës, i armatosur dhe i maskuar me skafandër motomjeti.
Sipas Policisë, 29-vjeçari u ndalua në zonën e “5 Majit”, në Tiranë, ndërsa lëvizte me një automjet tip “Audi”, në shoqërinë e dy personave të tjerë. Në momentin e arrestimit, atij iu gjet një sasi lënde narkotike Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Gjatë kontrollit në banesën që ai kishte marrë me qira në Tiranë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë, dy maska silikoni, municion luftarak, tre pajisje për grirjen e lëndës narkotike, si dhe 550 dollarë amerikanë fals. Po ashtu, u sekuestruan dy automjete, një celular, dhe një shumë parash në lekë.
Gjykata e Shkodrës, më datë 30 shtator 2025, kishte caktuar për 29-vjeçarin masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja me armë, mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestuan gjithashtu shtetasit Xh. D., 21 vjeç, dhe E. E., 19 vjeç, të cilët ndodheshin në automjet me autorin në momentin e kapjes. Ata akuzohen për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore. (A2 Televizion)