Studiuesit italianë ngrenë alarmin: Bolonja rrezikon të fundoset

Nga A2 CNN
15 Prill 2025, 16:06 | Bota

Studiuesit italianë ngrenë alarmin: Bolonja rrezikon të fundoset

Bolonja, një nga qytetet në veri të Italisë po përballet me një fenomen shqetësues që deri më tani ishte kryesisht i njohur në Holandë: fundosja graduale e tokës.

Fenomeni i rrëshqitjes po rritet vazhdimisht në zonën e Bolonjës, ku për shkaqe natyrore, por mbi të gjitha nga faktorë të lidhur me ndikimin e aktiviteteve njerëzore, toka po fundoset shumë shpejt, në disa raste me një ritëm mbi 2 centimetra në vit, duke rritur edhe rrezikun e përmbytjeve.

Sipas studiuesve, faktorët kryesorë që ndikojnë në këtë fenomen janë ndryshimet klimatike dhe ndërhyrjet njerëzore, në veçanti shfrytëzimi i tepruar i ujërave nëntokësore, që çon në tharjen e shtresave të argjilës. Në disa raste, toka në zonën e Bolonjës është fundosur me deri në 3 metra gjatë dekadave të fundit.

Sipas ekspertëve kjo mund të ketë pasoja të rënda në aspektin mjedisor, urbanistik dhe ekonomik.

Alarmi është ngritur nga Giovanni Martinelli, studiues në Institutin Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë, dhe Andrea Dadomo, gjeolog, gjatë një konference të organizuar nga Confindustria Emilia-Romagna, me fokus menaxhimin e burimeve ujore.

Ekspertët bëjnë thirrje për ndërhyrje urgjente për një plan të menjëhershëm investimesh infrastrukturore për të mbrojtur jo vetëm popullsinë, por edhe aktivitetin ekonomik të rajonit.

Fenomeni i fundosjes rrit ndjeshëm rrezikun e përmbytjeve, një problem që është bërë gjithnjë e më i shpeshtë në Emilia-Romagna. Alternimi i thatësirave ekstreme me reshje intensive e bën sistemin ujor gjithnjë e më të paqëndrueshëm.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos