Shpërthen Moska: Europa dëshiron një Hitler pas Zelensky-t

Nga Xhevahir Qardaku
15 Prill 2025, 15:04 | Bota

Rusia ka sulmuar sërish rajonin Sumi në Ukrainë me raketa balistike. Gjithashtu ka bombarduar edhe zona të tjera. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski, ka shkarkuar nga detyra shefin e administratës rajonale në Sumi, pas sulmit të ushtrisë së Moskës që vrasu 35 persona dhe plagosi qindra të tjera. Kjo vjen pas akuzës së lëshuar ndaj tij, siç thuhet zyrtarisht se bombardimi rus erdhi si pasojë “jo vetëm nga oreksi i Moskës për gjak, por edhe nga neglizhenca e zyrtarëve ukrainas”.

Sipas një kryebashkiaku në rajonin Sumi, rusët kanë shfrytëzuar rastin për të goditur një objektiv ushtarak pasi në një prej zyrave shefi i administratës rajonale ka mbajtur një ceremoni të dorëzimit të medaljeve për ushtarët e brigadës së 117-ë, shkruan A2 CNN.

Nga ana tjetër, Moska zyrtare pretendon rrëzimin e 115 dronëve të lëshuar nga Kievi në orët e fundit. Kremlini ka sqaruar ecurinë e bisedimeve të paqes duke konfirmuar se nuk do të ketë rezultate të menjëhershme.

Zëdhënësi, Dmitry Peskov, nënvizoi gjithashtu se nuk pritet që së shpejti të zhvillohet ndonjë telefonatë mes presidentit Vladimir Putin dhe homologut të tij amerikan, Donald Trump. Pak më i ashpër me gjuhën e tij ka qenë ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, që pretendoi se Europa po dëshiron të gjejë një “gjysëm Hitler të ri” në vend të Volodymyr Zelenskit, i cili do të jetë më pak i varur nga palë të ndryshme.

Kreu i diplomacisë së Moskës e tha këtë në një intervistë për gazetën e përditshme Kommersant. “Të gjitha këto skema paqeruajtëse që Macron dhe Starmers po hartojnë bazohen në faktin se kjo është e nevojshme për të ruajtur të paktën një copë tokë në të cilën do të qëndrojë regjimi nazist, haptazi rusofobik, i mprehur për përgatitjen e ardhshme të një lufte tjetër kundër Rusisë”, pretendoi Lavrov. Ndërsa pranoi se “nuk është e lehtë të biesh dakord mbi elementët kryesorë të një marrëveshjeje” për Ukrainën, ai vlerësoi Uashingtonin për zgjidhjen e këtij problemi.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos