Bashkimi Evropian ka publikuar listën e produkteve amerikane që do të godasë me masa hakmarrëse nëse negociatat tregtare me Shtetet e Bashkuara nuk përfundojnë me sukses. Lista e më shumë se 400 produkteve përfshin letrat higjienike amerikane, grimin për sytë, purot dhe duhanin, si dhe veshje për burra dhe gra.
Shumica e importeve do t'i nënshtrohen detyrimeve doganore shtesë prej 25%. Masat e BE-së do të hynin në fuqi sot si hakmarrje për rritjen e mprehtë të tarifave të SHBA-së për të gjitha importet e çelikut dhe aluminit, megjithatë unioni pezulloi kundërmasat për 90 ditë deri më 14 korrik, pasi SHBA vonoi gjithashtu vendosjen e të ashtuquajturave tarifa reciproke.
Sipas përllogaritjeve të BE-së bazuar në të dhënat zyrtare të SHBA-së për vitin 2023, pesë kategoritë kryesore të eksporteve nga Amerika në bllok janë: nafta dhe gazi, farmaceutikët dhe ilaçet, produktet e hapësirës ajrore dhe përbërësit e tyre, pajisjet mjekësore dhe furnizimet përkatëse, si dhe automjetet.
SHBA deri më tani ka goditur BE-në me tarifa 25% për çelikun dhe aluminin, e po ashtu 25% taksa për makinat. Sa i përket tarifave "reciproke" 20% të Presidentit Donald Trump për të gjitha mallrat e tjera nga blloku, këto janë ulur në 10% për 90 ditë.
Ndërkohë, negociatat tregtare mes BE-së dhe SHBA-së po vazhdojnë në nivel teknik, tha sot nga Brukseli zëdhënësi i Komisionit Olof Gill.
Komisioneri i Tregtisë Maros Shefkoviç u takua dje në Uashington me Sekretarin Amerikan të Tregtisë Howard Lutnick dhe përfaqësuesin e tregtisë Jameson Greer në një raund tjetër negociatash. “BE ende shpreson për një marrëveshje tregtare me SHBA-në, duke përfituar nga afati 90-ditor për një zgjidhje të ndërsjellë të tarifave të pajustifikuara", shkroi komisioneri Shefkoviç në "X", pas takimit me homologët e tij amerikanë.
Zëdhënësi i Komisionit tha sot se BE pret që të fillojnë "bisedimet thelbësore" dhe theksoi se "një nivel shtesë i angazhimit nga pala amerikane do të nevojitet për një marrëveshje".
Ai sqaroi, megjithatë, se në përpjekjen për të arritur një marrëveshje me SHBA-në, BE-ja nuk do të negociojë standardet evropiane në lidhje me sigurinë ushqimore.
“Këto nuk janë të negociueshme me SHBA-në, apo me askënd”, theksoi Olof Gill, duke shtuar se e njëjta gjë vlen edhe për rregulloret evropiane në lidhje me teknologjinë dhe tregun dixhital të BE-së.
Lidhur me produktet agroushqimore, zëdhënësi i Komisionit tha se në vitin 2023 BE importoi produkte agroushqimore me vlerë 12 miliardë euro nga SHBA dhe nënvizoi se importet e këtyre produkteve amerikane në BE janë rritur me 77% që nga viti 2005.
Për makinat, Olof Gill kujtoi se BE-ja dëshiron "të gjejë një zgjidhje më të mirë të mundshme".
"BE mbetet konstruktive dhe e gatshme për një marrëveshje të drejtë - duke përfshirë reciprocitetin përmes ofertës sonë tarifore 0 me 0 për produktet industriale dhe punës për barrierat jotarifore.Arritja e këtij qëllimi do të kërkojë përpjekje të rëndësishme të përbashkëta nga të dyja palët”, shkruan Komisioneri i Tregtisë në “X”. (A2 Televizion)