Batutat Trump-Rutte për luftën në Lindjen e Mesme: Si dy fëmijë që rrihen në oborrin e shkollës... pastaj ndërhyn babai

Nga Armand Kullolli
25 Qershor 2025, 11:44 | Bota

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, kanë shkëmbyer batuta, edhe pse ishin duke folur për një çështje tejet serioze, gjatë një deklarate për shtyp në samitin e NATO-s në Hagë, ku u fol për tensionet mes Izraelit dhe Iranit pas sulmeve ajrore amerikane mbi objektet bërthamore iraniane.

Duke komentuar përplasjen mes Izraelit dhe Iranit, Trump tha: “Nuk do të luftojnë më me njëri-tjetrin. E kanë mbyllur. Ishte si një sherr mes dy fëmijëve në oborrin e shkollës. Luftojnë si të çmendur. Nuk i ndalon dot. Lëri të zihen për dy a tre minuta. Pastaj është më e lehtë t’i ndash.”

Sekretari i NATO-s, Mark Rutte, iu përgjigj me një buzëqeshje: “Dhe pastaj babai duhet të përdorë ndonjëherë gjuhë të fortë”, shkruan A2 CNN.

Trump u tregua edhe më i drejtpërdrejtë: “Duhet të përdorësh gjuhë të fortë. Duhet të thuash një fjalë të caktuar”, u shpreh ai, duke iu referuar komenteve të bëra një ditë më parë ku tha se “Izraeli dhe Irani nuk dinë çfarë dreqin po bëjnë.”

“Jemi shumë afër marrëveshjes për konfliktin në Gaza”, Trump: Ndikuan sulmet ndaj Iranit

Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi të mërkurën se goditjet amerikane ndaj objekteve bërthamore të Iranit mund të kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje për konfliktin në Gaza, mes Izraelit dhe Hamasit.

Gjatë një deklarate për mediat në samitin e NATO-s në Hagë, në krah të Sekretarit të Përgjithshëm të aleancës, Mark Rutte, Trump tha se është “shumë afër” një marrëveshjeje për konfliktin në Rripin e Gazës.

“Besoj se po bëhet përparim i madh për Gazën. Për shkak të sulmit që ndërmorëm, mendoj se do të kemi disa lajme shumë të mira,” u shpreh ai përpara gazetarëve, shkruan A2 CNN.

Trump shtoi se sulmet “treguan fuqi” dhe se kjo kishte ndikim në dinamikat rajonale. “Besoj se ndihmoi disi, tregoi shumë fuqi. Por, edhe para kësaj, ishim shumë pranë një marrëveshjeje për Gazën,” tha presidenti amerikan.

Këto deklarata vijnë pas operacionit ajror të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane, që sipas Trump-it, kanë “shkatërruar plotësisht” kapacitetet e Teheranit për zhvillimin e armëve bërthamore. Ai ka lënë të kuptohet se presioni mbi Iranin, si mbështetës i Hamasit, mund të ndikojë në zbutjen e konfliktit mes Izraelit dhe militantëve palestinezë në Gaza. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos