
Bashkimi Europian ka vendosur t’i zhbllokojë Hungarisë mbi 16 miliardë euro fonde të ngrira prej vitesh, duke shënuar një kthesë të fortë në raportet mes Brukselit dhe Budapestit pas largimit nga pushteti të Viktor Orbán.
Lajmi u bë publik nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, pas takimit në Bruksel me kryeministrin e ri hungarez, Peter Magyar, i cili fitoi zgjedhjet e prillit duke i dhënë fund dominimit shumëvjeçar të nacionalistit Viktor Orbán.
“Mund të ndiejmë tashmë një erë të fortë ndryshimi në të gjithë Hungarinë. Në vetëm pak javë, janë ndërmarrë reforma që prej kohësh ishin të nevojshme”, deklaroi Von der Leyen gjatë konferencës së përbashkët për shtyp.
Fondet ishin ngrirë nga Bashkimi Europian për shkak të shqetësimeve mbi korrupsionin, pavarësinë e gjyqësorit, dobësimin e institucioneve demokratike dhe trajtimin e komunitetit LGBTQ gjatë qeverisjes së Orbán.
Sipas Komisionit Europian, qeveria e re ka nisur reforma konkrete për rikthimin e standardeve të kërkuara nga BE-ja. Pjesa më e madhe e shumës, mbi 10 miliardë euro, vjen nga fondi europian i rimëkëmbjes pas pandemisë Covid-19.
Kryeministri Magyar e cilësoi vendimin si një fitore të madhe për Hungarinë dhe premtoi se fondet do të përdoren për ringritjen e ekonomisë, forcimin e shërbimeve publike dhe mbështetjen e bizneseve vendase.
Ndërkohë, qeveria e re ka nisur të japë sinjale të qarta ndryshimi edhe në politikën e jashtme dhe të drejtat civile. Parlamenti hungarez ka hequr dorë nga plani për largimin nga International Criminal Court, ndërsa autoritetet kanë lejuar zhvillimin e paradës Pride në Budapest, e ndaluar një vit më parë nga qeveria Orbán.
(A2 Televizion)