Të paktën dy të vrarë në Kiev pas sulmeve ajrore ruse

Nga A2 CNN
25 Tetor 2025, 17:41 | Bota

Të paktën dy të vrarë në Kiev pas sulmeve ajrore ruse

Të paktën dy persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në Kiev gjatë natës, pasi një valë raketash balistike ruse shkaktoi shpërthime të fuqishme dhe zjarre në mbarë kryeqytetin ukrainas, thanë autoritetet ushtarake të qytetit më 25 tetor.

Një kopsht fëmijësh në distriktin Dniprovskiy u dëmtua dhe shpërthyen zjarre të mëdha në zona jorezidenciale të distrikteve Desnianskiy dhe Darnytskiy.

Forcat ajrore të Ukrainës thanë se Rusia kreu një sulm të madh të përzier gjatë natës në të gjithë vendin, duke lëshuar nëntë raketa balistike Iskander-M nga rajonet Rostov dhe Kursk dhe 62 dronë sulmues nga disa drejtime, përfshirë Kursk dhe Oryol në Rusi dhe Hvardiiske në Krimenë e pushtuar.

Ushtria tha se mbrojtja ajrore rrëzoi katër raketa dhe 50 dronë, ndërsa konfirmoi goditje në 11 lokacione, teksa vlerësimet e mëngjesit ende ishin në zhvillim e sipër.

Përshkallëzimi gjatë natës gjithashtu përkoi me një sinjal të ri diplomatik nga Moska.

Kirill Dmitriev, i dërguari i posaçëm i presidentit rus, Vladimir Putin, për investime dhe bashkëpunim ekonomik, tha se beson që Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe Rusia janë “mjaft afër” një zgjidhjeje diplomatike.

Ai nuk dha hollësi se pse beson se një zgjidhje diplomatike është e afërt. Qëndrimet publike të Rusisë dhe Ukrainës mbeten ende shumë të largëta në çështje kyçe, përfshirë territorin dhe garancitë e sigurisë.

Dmitriev ndodhet në Shtetet e Bashkuara, dhe raportet e mediave amerikane sugjerojnë se ai do të takohet me të dërguarin e posaçëm të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, në Miami më 25 tetor.

Planet për një takim në Budapest mbi Ukrainën u pezulluan këtë javë, me Shtëpinë e Bardhë që deklaroi se nuk kishte plane të menjëhershme për një takim, ndërsa Trump paralajmëroi se nuk dëshironte një “takim të kotë.”

Pezullimi pasoi kontaktet përgatitore në të cilat Moska hodhi poshtë një armëpushim të menjëhershëm që do të ngrinte vijat aktuale të frontit, duke e shtyrë Uashingtonin të kthehej drejt sanksioneve të reja ndaj kompanive kryesore të naftës ruse dhe duke forcuar skepticizmin evropian për një format të Budapestit pa kushtet e Kievit në qendër.

Ndërkohë, kryeministri britanik Keir Starmer tha se mbështetësit perëndimorë të Ukrainës janë gati ta çojnë në nivelin tjetër përpjekjen e tyre për të ndëshkuar Moskën për vazhdimin e luftës më vdekjeprurëse në Evropë prej dekadash dhe për ta detyruar Putinin të ulet në tryezën e negociatave.

Starmer i bëri këto deklarata pas një takimi në Londër me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe anëtarët e “Koalicionit të Gatshem,” një grup prej më shumë se 20 shtetesh që ndihmojnë vendin e goditur nga lufta.

“Ne kemi qenë të qartë sot se duhet të reagojmë. Duke punuar me SHBA-në, ky koalicion është i vendosur të shkojë më tej se kurrë, për të rritur presionin mbi Putinin, nga fushëbeteja deri te ekonomia e tij e luftës, sepse kjo është e vetmja mënyrë për t’i ndryshuar mendjen dhe për ta shtyrë atë të rikthehet në tryezë”, tha Starmer në një konferencë për shtyp pas takimit dyorësh më 24 tetor. REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos