Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka kritikuar ashpër sërish udhëheqësin e Kremlinit, Vladimir Putin, pasi Rusia e përmbylli një fushatë bombardimesh triditore më 26 maj me sulmin më të madh ajror të luftës mbi trivjeçare.
Trump tha se deri tani e ka “mbrojtur” Rusinë nga masa të dhimbshme të pazbuluara, por la të kuptohej se po humb durimin pasi Putini po vazhdon t’i shpërfillë thirrjet e tij për armëpushim.
“Ajo që Vladimir Putini nuk e kupton është se, po të mos isha unë, shumë gjëra të këqija do t’i kishin ndodhur tashmë Rusisë – dhe e kam fjalën për GJËRA VËRTET TË KËQIJA. Ai po luan me zjarrin!” – tha Trump më 27 maj në Truth Social.
Zyrtari rus i sigurisë, Dmitry Medvedev, iu përgjigj kritikave të Trump duke aluduar në Luftën e Tretë Botërore.
“Sa i përket fjalëve të Trumpit se Putini ‘po luan me zjarrin’ dhe për ‘gjëra vërtet të këqija’ që mund t’i ndodhin Rusisë – unë e njoh vetëm një GJË VËRTET TË KEQE: Lufta e Tretë Botërore. Shpresoj që Trump ta kuptojë këtë!” shkroi Medvedev në X.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia i hodhi më shumë se 900 raketa në Ukrainë gjatë një bombardimeve treditore, që përfunduan më 26 maj. Trembëdhjetë civilë u vranë në sulmet e 25 majit.
Moska tha se kishte goditur vetëm “caqet ushtarake” në Ukrainë.
Sulmi i 26 majit ishte më i madhi që nga fillimi i pushtimit rus mbi tri vjet më parë. Sulmi ndodhi një ditë pasi Trumpi shkroi në rrjete sociale se Putini ishte “plotësisht i çmendur”.
Autoritetet ruse njoftuan mbrëmjen e 27 majit se Ukraina kishte kryer një sulm të madh me dronë kundër Rusisë. Sipas tyre, mbrojtja ajrore e vendit shkatërroi 112 dronë ukrainas gjatë sulmit.
Para sulmit treditor të Rusisë, grupi i G7-ës dhe Kongresi amerikan e kishin shtyrë administratën të vendoste sanksione ndaj Rusisë për mospranimin e armëpushimit të menjëhershëm 30-ditor.
Kongresi, i kontrolluar nga republikanët e Trumpit, ende nuk e ka çuar për votim projektligjin më të fundit për sanksione ndaj Rusisë.
Kur u pyet javën e kaluar pse nuk vendosen sanksione ndaj Rusisë pasi Putini sërish e shpërfilli thirrjen për armëpushim, Trump tha se kjo do ta largonte udhëheqësin e Kremlinit në një kohë kur ai ndiente se po bënte përparim.
Sergei Zhuk, profesor në Universitetin Ball State dhe ekspert për Rusinë dhe Ukrainën, tha se nuk pret që komentet e Trump në rrjetet sociale të sjellin veprime konkrete.
“Do të mbeten në nivelin e kritikave në rrjetet sociale dhe kaq”, tha Zhuk, i cili është gjithashtu hulumtues në Qendrën Woodrow Wilson në Uashington.
“Putini e kupton se administrata e re amerikane nuk do të reagojë aktivisht ndaj këtyre sulmeve”, tha Zhuk për REL.
Trump e ka bërë përfundimin e luftës në Ukrainë prioritet kryesor të politikës së jashtme që kur mori detyrën më shumë se katër muaj më parë. Në mars, ai u bëri thirrje të dyja palëve ta pranojnë menjëherë një armëpushim 30-ditor.
Zelensky e mbështeti thirrjen e Trumpit, por Putini nuk e pranoi, duke kërkuar që Ukraina fillimisht t’i pranojë disa kushte, përfshirë tërheqjen e trupave nga territori i saj. Kjo ishte e papranueshme për Kievin.
Ekspertët thonë se Putini nuk është i interesuar ta përfundojë luftën tani sepse beson se po e fiton atë dhe ende nuk ka i përmbushur synimet kryesore të saj./ REL (A2 Televizion)