Ndërsa e ardhmja e vendit të tij diskutohet pa të nga liderët e Rusisë dhe SHBA-së, Volodymyr Zelenskyy ka qenë në Finlandë - duke vazhduar vizitat tek aleatët që ai filloi në ditët e para të luftës.
Sipas mediave të huaja, ai nuk iu referua drejtpërdrejt bisedës Trump-Putin, e cila tani ka përfunduar, por përsëriti thirrjet për të përfshirë Evropën në bisedimet për Ukrainën.
“Evropa duhet të jetë në tryezën e bisedimeve dhe gjithçka që lidhet me sigurinë e Evropës duhet të vendoset së bashku me Evropën”, tha ai, shkruan A2 CNN.
Presidenti udhëtoi me gruan e tij, zonjën e parë ukrainase Olena, dhe ai tha se bisedimet u fokusuan në mbështetjen e mbrojtjes, investimet në prodhimin e armëve ukrainase dhe integrimin evropian të Kievit.
Kujtojmë se Trump ka premtuar se do të gjejë një zgjidhje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për këtë ka nisur edhe bisedimet me aktorë të ndryshëm nga të dy vendet.
(A2 Televizion)