Bisedimet bërthamore me Iranin, Khamenei: SHBA me kërkesa skandaloze, s’besoj në marrëveshje

Nga Rosalba Bejdo
20 Maj 2025, 15:25 | Bota

Të tepruara dhe skandaloze. Kështu i ka quajtur lideri suprem i Iranit, Ajatollahu Ali Khamenei, kërkesat e SHBA-së që Teherani të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit. Ai hodhi dyshime mbi mundësinë e një marrëveshjeje mes Uashingtonit dhe Iranit, lidhur me programin bërthamor, shkruan A2 CNN. Teksa foli në një ceremoni përkujtimore për presidentin e ndarë nga jeta, Ebrahim Raisi, Khamenei tha se negociatat nuk kishin prodhuar rezultat gjatë presidencës së kaluar dhe se nuk pritet të prodhojnë as tani.

“Pala amerikane që po merr pjesë në këto bisedime jo të drejtpërdrejta duhet të përpiqet të mos flasë marrëzira. Të thuash se nuk do të lejojmë Iranin të pasurojë uraniumin është shumë e tepruar. Askush nuk po kërkon lejen e tyre”, tha ai.

Megjithëse ka pritshmëri që një raund i pestë negociatash mund të zhvillohet gjatë fundjavës në Romë, bisedimet bërthamore mbahen në terren të paqëndrueshëm, teksa si Irani, ashtu edhe SHBA-ja janë përplasur ashpër lidhur me çështjen e pasurimit të uraniumit.

Zëvendësministri i Jashtëm, Majid Takht-Ravanchi, tha të hënën se bisedimet do të dështojnë nëse Uashingtoni këmbëngul që Teherani të përmbahet nga pasurimi i brendshëm i uraniumit, që sipas SHBA-së mund të përdoret për zhvillimin e bombave bërthamore.

Teherani, nga ana e tij, këmbëngul se programi për energjinë bërthamore ka tërësisht qëllime paqësore dhe ka shprehur gatishmërinë për të kufizuar, deri në një farë mase, nivelin e pasurimit.

Një tjetër zyrtar iranian pohoi se kishin pranuar së fundmi dhe po shqyrtonin një propozim të SHBA-së. Javën e kaluar, presidenti Trump paralajmëroi se vendi islamik duhej të vepronte me shpejtësi, ose “diçka e keqe do të ndodhte”. Ai ka kërcënuar me ndërhyrje ushtarake nëse nuk arrihet një kompromis. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos