Negociatorët rusë dhe ukrainas u takuan në Stamboll, në bisedimet e para të drejtpërdrejta të paqes në më shumë se tre vite, nën trysninë e shtuar të presidentit amerikan Trump për ti dhënë fund konfliktit më vdekjeprurës në Europë që prej luftës së dytë botërore.
Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan ju drejtua delegacioneve nga të dyja vendet në Pallatin madhështor të Dollmabahce në Bosfor. Gjysma e delegacionit të Kievit mbante veshje ushtarake, teksa ishin të ulur përballë përfaqësueseve rusë, të veshur me kostume, shkruan A2 CNN. As Putin e as Trump nuk marrin pjesë në bisedime, dhe presidenti amerikan tha një ditë më parë se asgjë nuk do të ndodhte nëse ata nuk uleshin në tryezë.
Kreu Iidelegacionit Ukrainas, teksa paraqiti prioritetet e Kievit tha se paqja ishte e mundur nëse Rusia do të pranonte një armëpushim 30 ditor, të kthente fëmijët e rrëmbyer dhe të shkëmbente të burgosurit e luftës. Rusia pretendon se dëshiron fundin e luftës përmes rrugës diplomatike dhe se është gati të diskutojë një armëpushim. Megjithatë ajo ka listuar një sërë pyetjesh dhe shqetësimesh duke thënë se Ukraina mund të përdorë pauzën në luftime për të rigrupuar forcat, për të mobiziluar trupa shtesë e për të siguruar më shumë armatime. Ndërkohë Kievi dhe aleatët akuzojnë Putinin se nuk është serioz lidhur me dëshirën për paqe. Megjithatë, ndërmjetësuesi Fidan, tha se ishte tejet e rëndësishme që paqja të arrihej sa më shpejt. (A2 Televizion)