Refuzimi që Shqipëria i ka bërë propozimit të kryeministrit britanik Keir Starmer, lidhur me pranimin e mundshëm të emigrantëve të paligjshëm, ka dominuar titujt e shtypit britanik këtë të premte, të cilat flasin për një poshtërim të shefit të Downing Street. The Times raporton se, pas "jo"-së së kryeministrit shqiptar Edi Rama, Londra do të hyjë tani në bisedime me deri në 9 vende të tjera lidhur me planet për deportimin e azilkërkuesve.
Në faqen e parë, tabloidi Daily Mail shkruan se Starmer mbeti pa fjalë nga ajo që e quan si “farsa shqiptare”, pasi kryeministri Rama përjashtoi një marrëveshje të mundshme. Sipas medias, ujdia e dështuar është një turpërim për liderin britanik dhe planin e tij për të dërguar azilkërkues në Ballkan, i bërë i ditur në një transmetim të drejtpërdrejtë televiziv.
Siç thuhet, Britania e Madhe po lufton tani për një ujdi të re në Ballkan pas shpërfilljes që mori nga Shqipëria, me bisedime që pritet të përfshijnë Bosnjë e Hercegovinën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, përcjell A2 CNN.
“Edi Rama, një kryeministër i suksesshëm në zgjedhje, por i shënuar nga skandale personale dhe akuza për korrupsion, shkatërroi publikisht ëndrrën e Keir Starmer, duke refuzuar prerë që vendi i tij të kthehet në një qendër për të deportuarit nga Britania e Madhe,” shkruan media tjetër The Telegraph. Sipas saj, Starmer nuk guxoi ta kundërshtonte, dhe kryeministri shqiptar u duk se mund ta "hante atë për mëngjes".
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Starmer, kreu i qeverisë shqiptare e përjashtoi kategorikisht pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë skemë, duke thënë se nuk kishte interes të zgjeronte një marrëveshje të ngjashme me atë që ishte arritur me Italinë. (A2 Televizion)