
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka zyrtarizuar krijimin e të ashtuquajturit “Bordi i Paqes” për Gazën, një strukturë e re që synon administrimin e përkohshëm dhe rindërtimin e territorit pas luftës mes Izraelit dhe Hamasit. Mes anëtarëve themelues të bordit janë Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe ish-kryeministri britanik Tony Blair.
Sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë, në bordin ekzekutiv themelues bëjnë pjesë gjithashtu i dërguari i posaçëm i Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhëndri i presidentit Jared Kushner, drejtuesi i një fondi investimesh Marc Rowan, presidenti i Bankës Botërore Ajay Banga, si dhe këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare Robert Gabriel. Vetë Trump do të kryesojë bordin, që është pjesë e planit të tij me 20 pika për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza, shkruan A2 CNN.
Bordi pritet të mbikëqyrë përkohësisht procesin e rindërtimit, ndërsa anëtarë të tjerë do të emërohen në javët në vijim. Paralelisht, është krijuar edhe një komitet teknokratik palestinez me 15 anëtarë për administrimin e përditshëm të Gazës pas luftës.
Plani amerikan parashikon gjithashtu vendosjen e një Force Ndërkombëtare Stabilizimi për garantimin e sigurisë dhe çarmatimin e plotë të Hamasit. Ndërkohë, situata në terren mbetet e brishtë, me shkelje të vazhdueshme të armëpushimit dhe një krizë të thellë humanitare në territor. (A2 Televizion)