Një valë sulmesh me dronë dhe raketa kundër rajonit verilindor të Harkivit në Ukrainë, vrau të paktën 3 persona, përfshirë një grua shtatzënë dhe plagosi rreth 16 të tjerë. Lajmin e bënë të ditur autoritetet ukrainase të martën, ndërsa Krimea e aneksuar nga Rusia raportoi se kishte sprapsur një sërë sulmesh me dronë.
Në Harkiv u dëmtuan godina rezidenciale, garazhe dhe dyqane. Bombardimet janë në vazhdën e sulmeve të mëdha ajrore që Moska ka ndërmarrë kundër Ukrainës javët e fundit, teksa Kievi ka intensifikuar goditjet me dronë me rreze të gjatë ndaj infrastrukturës së naftës në Rusi.
Zelenski tha se kishte pasur një bisedë telefonike pozitive me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së, Steve Wittkoff dhe Jared Kushner. Ai tha se mirëpret gatishmërinë e tyre për të punuar aktivisht drejt një zgjidhjeje diplomatike të konfliktit.
Jam mirënjohës për gatishmërinë për të punuar sa më aktivisht të jetë e mundur në këto javë për t'i dhënë shtysë diplomacisë për t'i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Ne e kuptojmë se sa shumë pikëpamje të botës tërhiqen nga situata rreth Iranit. Por qëllimi ynë i përbashkët për paqen në Evropë është në axhendë.
Zelenski javën e kaluar publikoi një letër të hapur për homologun e tij rus, Vladimir Putin, ku i propozonte bisedime ballë për ballë për t'i dhënë fund luftës, që ka hyrë në vitin e 5. Por oferta e Zelenskit u refuzua me shpejtësi nga Putin.
Në një intervistë të dhënë rishtazi për The Guardian, presidenti ukrainas theksoi se gjysma e njerëzve që rrethojnë Putinin duan që lufta të vazhdojë e gjysma tjetër që të përfundojë.
Sipas tij, biznesmenët e kuptojnë që ekonomia ruse është në gjendje të tmerrshme. Gjatë forumit vjetor të biznesit në Shën Petersburg, Putin u përpoq të qetësonte rusët se pavarësisht dëmeve që kanë shkaktuar sulmet ukrainase, nuk kishte kërcënim për ekonominë ruse.
Bombardimet e fundit në Ukrainë vijnë menjëherë pasi Zelenski u kthye nga bisedimet në Londër me udhëheqësit e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, që thonë se janë të gatshëm të mbështesin bisedimet e paqes. (A2 Televizion)