
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka pranuar të pezullojë një operacion ushtarak në shkallë të gjerë kundër Iranit, pas një ndërhyrjeje të drejtpërdrejtë nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, Izraeli po përgatitej të kryente një sulm të madh të planifikuar për në fund të pasdites. Operacioni ishte miratuar nga Netanyahu, por u anulua në momentet e fundit pas një bisede telefonike me Trump.
Burimet bëjnë të ditur se rreth orës 16:30, Netanyahu kishte dhënë dritën jeshile për nisjen e operacionit. Megjithatë, pak minuta më vonë, Presidenti amerikan e telefonoi dhe i kërkoi të ndalte çdo veprim të mëtejshëm ushtarak, duke e nxitur të shmangte përshkallëzimin e tensioneve në rajon.
Raporti thekson se pas kësaj bisede, kryeministri izraelit vendosi të anulojë sulmin, në një lëvizje që shihet si përpjekje për të shmangur një përplasje më të gjerë mes Izraelit dhe Iranit. (A2 Televizion)