Bashkëshortja e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Melania Trump, ngriti çështjen e gjendjes së vështirë të fëmijëve në Ukrainë dhe Rusi në një letër personale drejtuar Presidentit rus Vladimir Putin, thanë të premten dy zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti Trump ia dorëzoi letrën Putinit gjatë bisedimeve të tyre në samitin e Alaskas, thanë zyrtarët për Reuters. Melania Trump, e lindur në Slloveni, nuk ishte në udhëtim për në Alaska, përcjell A2.
Zyrtarët nuk do ta zbulonin përmbajtjen e letrës, por thanë se përmendte rrëmbimet e fëmijëve që rezultuan nga lufta në Ukrainë. Ekzistenca e letrës nuk ishte raportuar më parë. Rrëmbimi i fëmijëve ukrainas nga Rusia ka qenë një çështje thellësisht e ndjeshme për Ukrainën. Ukraina i ka quajtur rrëmbimet e dhjetëra mijëra fëmijëve të saj të çuar në Rusi ose në territorin e pushtuar nga Rusia pa pëlqimin e familjes ose kujdestarëve një krim lufte që përmbush përkufizimin e traktatit të OKB-së për gjenocidin. Më parë, Moska ka thënë se ka mbrojtur fëmijët e cenueshëm nga një zonë lufte.
Moska vetë nuk e pranon akuzën dhe insiston se është duke mbrojtur “fëmijët e pambrojtur që vijnë nga zonat e luftës”, pretendim ky që hidhet poshtë nga Perëndimi si i rremë.
Ka bërë xhiron e botës sakaq videoja që tregon sesi avioni Ilushin me të cilin ka udhëtuar Putin pas samitit, është shoqëruar nga bombardues amerikanë F35 Lightning, të gjeneratës së fundit. Videoja është filmuar nga brenda avionit presidencial rus, ndërsa pamjet u publikuan nga vetë Kremlini, që sqaroi se shoqërimi nga F35-sat amerikanë është bërë për arsye sigurie.
Kryeministri hungarez Viktor Orban nxjerr një përfundim pozitiv nga takimi në Alaska. "Bota është një vend më i sigurt sot sesa ishte dje", shkruan Orban në Facebook. "Për vite me radhë, kemi parë teksa dy fuqitë më të mëdha bërthamore shpërbëjnë kornizën e bashkëpunimit të tyre dhe i dërgojnë mesazhe njëra-tjetrës", thotë ai. Kjo tani ka mbaruar. (A2 Televizion)