Trump telefonon liderët e BE, Zelenskyy udhëton për në Uashington të hënën

Nga Erjon Dervishi
16 Gusht 2025, 11:08 | Bota

Donald Trump ka informuar Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, Kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe krerë të tjerë shtetesh dhe qeverish evropiane për takimin e tij me Presidentin rus Putin.

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Kryeministri britanik Keir Starmer gjithashtu ishin pjesë e kësaj telefonate, e cila zgjati pak më shumë se një orë, tha një zëdhënëse e Komisionit të BE-së të shtunën, shkruan A2.

Në reagimin e tij në X, presidenti i Ukrainës tha se, "Kievi përsërit gatishmërinë e saj për të punuar me përkushtimin maksimal për të arritur paqen. Presidenti Trump më informoi për takimin e tij me udhëheqësin rus Vladimir Putin dhe pikat kryesore të diskutimit të tyre. Është e rëndësishme që forca e Amerikës të ketë ndikim në evolucionin e situatës".

Po ashtu Zelenskyy ka bërë me dije se të hënën do të udhëtojë drejt Uashingtonit për një takim me Donald Trump.

"Do të takohem me Presidentin Trump në Uashington, D.C., të hënën për të diskutuar të gjitha detajet që lidhen me përfundimin e vrasjeve dhe luftës. Jam mirënjohës për ftesën", tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në X. "Ne mbështesim propozimin e Presidentit Trump për një takim trepalësh midis Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Ukraina thekson se çështjet kryesore mund të diskutohen në nivel udhëheqësish dhe se një format trepalësh është i përshtatshëm për këtë qëllim", shtoi Zelensky.

Në lidhje me një takim trepalësh, ka reaguar edhe Moska. Ndihmësi kryesor i Vladimir Putin, Juri Ushakov tha se, "për momentin, presidenti amerikan ka thënë se do t'i telefonojë kolegët e tij dhe do të diskutojë me ta rezultatet e negociatave në vazhdim", "dhe pastaj do të vendosim se çfarë të bëjmë".

Kjo është ajo që ndihmësi i Vladimir Putinit, Yuri Ushakov, i tha Channel One në lidhje me një takim të mundshëm të ardhshëm midis dy udhëheqësve. "Nuk e di ende", u përgjigj ndihmësi i udhëheqësit rus kur u pyet se kur mund të zhvillohet një takim i ri ballë për ballë midis të dyve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos