Hamas kishte vendosur një kamera për monitorimin e lëvizjeve të forcave izraelite pranë spitalit të Nasser në Gaza, i sulmuar të hënën nga Izraeli. Kështu pretendon IDF, në një raport fillestar lidhur me ngjarjen që është dënuar ashpër nga ndërkombëtarët.
Të paktën 20 persona mbetën të vrarë në sulmin e ndodhur në Khan Junis, mes të cilëve edhe 5 gazetarë që punonin për agjenci si Reuters apo Associated press. Në të shtohet se 6 prej të vrarëve ishin terroristë, dhe se hetime të mëtejshme do të zhvilloheshin për të hedhur dritë të plotë mbi ngjarjen.
Zyra për të drejtat e njeriut të OKB tha se vrasja e gazetarëve duhet të shokojë botën, ndërsa Netanjahu foli më herët për një aksident tragjik.
Kryeministri britanik, Starmer e cilësoi këtë, si një akt totalisht të pajustifikueshëm.
Izraeli ka intensifikuar sulmet në qytetin e gazës, me banorët që raportuan një natë bombardimesh të ashpra. Më shumë familje palestineze u larguan nga qyteti i gazës të martën, ndërsa dëshmojnë se predhat e lëshuara nga ajri dhe tanket shkatërruan rrugë dhe banesa.
Ushtria izraelite tha se forcat e veta po operojnë në zonë për të lokalizuar armatime e për të shkatërruar tunelet e përdorura nga militantët. Të paktën 34 vetë u vranë në enklavë pas bombardimeve të, përfshirë 18 rreth qytetit të Gazës.
Ndërkohë, protesta të mëdha u zhvilluan në Tel Aviv dhe qytete të tjera izraelite, që kërkonin fundin e luftës dhe lirimin e pengjeve në duart e Hamasit. Disa prej manifestuesve dogjën goma dhe bllokuan qarkullimin, teksa valvisnin banera dhe flamuj të verdhë. (A2 Televizion)