Vladimir Putin del nga “bunkeri” dhe flet për luftën me NATO-n dhe Ukrainën. Duke komentuar akuzën se një dron i ushtrisë së Rusisë përfundoi në një kompleks banimi në Rumani, vend anëtar i Bashkimit Europian dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut, shefi i Kremlinit pretendoi se fluturakja me municion i përket Kievit.
“Znj. von der Leyen nuk ishte në Rumani. Ajo nuk i shqyrtoi mbetjet e këtij droni. Askush nuk mund të thotë se nga vjen një dron i caktuar derisa të shqyrtohet. Në fund të fundit, ne e dimë që dronët ukrainas kanë fluturuar në Finlandë, Poloni dhe gjetkë në shtetet baltike. Reagimi fillestar ishte saktësisht i njëjtë me tani në Rumani: ‘Ndihmë, po vijnë dronët rusë, po qëllojnë’. Pastaj, pak kohë më vonë, doli që këto nuk kishin të bënin fare me dronët rusë, por përkundrazi këta dronë ishin me origjinë ukrainase; ata kishin devijuar nga kursi, ishin prekur nga lufta elektronike.”
Putin flet edhe për luftën e drejtpërdrejtë me ushtrinë e NATO-s, duke pretenduar se janë gënjeshtra pretendimet se Rusia po bëhet gati për një të tillë. Ndryshe nga sa ka bërë herë të tjera duke e lidhur Ukrainën me nazistët, këtë herë është vetë shefi i Kremlinit që citon propagandistin e Hitlerit.
“Kjo është absurde. Kjo supozohet se po bëhet në lidhje me planet agresive të Rusisë kundër vendeve të Europës Perëndimore. Kjo është një gënjeshtër. Është një gënjeshtër e papërpunuar dhe e paturpshme. Dhe, siç tha dikur Goebbels, sa më e pabesueshme të jetë gënjeshtra, aq më shumë ka gjasa që të besohet. Këto janë pikërisht standardet që politikanët dhe mediat perëndimore po zbatojnë në praktikën e tyre të përditshme.”
Putin thotë se Rusia ka mjetet për të shkatërruar këdo që sulmon enklavën e saj baltike të Kaliningradit, teksa korrigjon edhe deklaratën e tij për fundin e luftës në Ukrainë.
“Duke pasur parasysh situatën në fushën e betejës, kemi të drejtë të themi se kjo situatë po i vjen fundi.”
Më herët, nënkryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, Dmitry Medvedev, kërcënoi europianët duke thënë se tashmë “nuk do të flenë më të qetë”.
Tensionet u rritën pasi një dron rus goditi një bllok apartamentesh në Rumani, duke shkaktuar zjarr dhe duke plagosur dy persona. Incidenti i së premtes në qytetin lindor të Galațit, pranë kufirit me Ukrainën, u dënua nga NATO dhe BE-ja. Ukraina tha se kjo vërtetoi edhe një herë se Rusia përbën “një kërcënim real” për Europën. (A2 Televizion)