Deputeti i PD Tomor Alizoti theksoi se Reforma Territoriale do të duhej të kalonte përmes një referendumi, ku të shpreheshin qytetarët. Duke folur përmes një lidhjeje Live për emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Alizoti vuri në dukje se kemi të bëjmë me një krizë të thellë të shoqërisë dhe vendit.
“Të marrësh një reformë të tillë, pa pyetur njerëzit që preken, po të marr rastin e Përrenjasit ku Këshilli Bashkiak që është parlamenti i qytetit ka votuar 100 për qind kundër bashkimit. Ti po i merr këta njerëz me dhunë. Në të 15-ta këto bashki ka patur kundërshti. Pse të mos bëhej një referendum dhe të pyeteshin njerëzit?! Nëse njerëzit duan centralizim, le të bëhej. Por nëse njerëzit nuk duan centralizim, atëherë kjo s’ka pse të bëhet. Qytetet, zonat, kanë identitetet e tyre, s’mund ta prekësh thjesht pse të leverdis në mënyrë elektorale, kjo është një krizë që i jep shoqërisë dhe vendit. Në këtë mënyrë duhet trajtuar. Kjo është një krizë shoqërore, nëse Kuvendi është në këtë fazë, është një krizë shoqërore e gjithë shoqërisë edhe e opozitës bashkë me të. Është krizë e thellë shoqërore dhe politike”.
Alizoti deklaroi se detyra e opozitës është që të bashkojë dhe unifikojë të gjithë opozitarët për të hequr Edi Ramën nga pushteti.
“Opozita ka pjesën e përgjegjësisë së saj. Opozita ka një detyrë, të bashkojë të gjithë opozitarët dhe ata që mendojnë pro saj, dhe kundër saj, ata që kanë si qëllim të përbashkët të heqin kryeministrin aktual të vendit, duhet t’i unifikojë të gjithë. Kjo është përgjegjësia e saj”.
(A2 Televizion)