Cilat shtete preken nga vendimi i Trump? SHBA i mbyll derën emigrantëve nga vendet e botës së tretë

Nga Xhevahir Qardaku
28 Nëntor 2025, 11:35 | Bota

Cilat shtete preken nga vendimi i Trump? SHBA i mbyll derën

Amerika u mbyll derën përgjithmonë emigrantëve nga të gjitha vendet e botës së tretë. Është ky vendimi i marrë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pas sulmit me armë ndaj gardës pranë Shtëpisë së Bardhë. Përmes një postimi në Truth Social, ai thekson se kjo lëvizje do të “lejonte që sistemi amerikan të rimëkëmbet plotësisht” nga politikat e emigracionit të paraardhësit Joe Biden, që sipas tij kishin prekur kushtet e jetesës dhe përfitimet e shumë qytetarëve, shkruan A2 CNN.

“Do të largoj këdo që nuk është një aset për Shtetet e Bashkuara, ose është i paaftë të dojë vendin tonë, do t'i jap fund të gjitha përfitimeve dhe subvencioneve federale për ata që nuk janë shtetas të vendit tonë, do t'u heq natyralizimin emigrantëve që dëmtojnë qetësinë e brendshme dhe do të deportoj çdo shtetas të huaj që është një barrë publike, rrezik sigurie ose që nuk përfaqëson Qytetërimin Perëndimor”, tha Trump.

Nuk është e qartë se për cilat vende po i referohej presidenti. Termi “vende të botës së tretë”, i përdorur nga disa për të përcaktuar vendet në zhvillim, është përdorur vazhdimisht nga Trump si pjesë e retorikës së tij anti-imigracion. CNN ka kontaktuar Departamentin e Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë për sqarime.

Ndërkohë, SHBA-të do të rishqyrtojnë të gjitha lejet e qëndrimit, të quajtura “Green Card”, të lëshuara për njerëzit nga 19 vende që janë “shqetësuese” për shkak të udhëzimeve të Presidentit Trump. Këtë e konfirmoi Joe Edlow, drejtori i Shërbimeve të Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA-së, në një postim në platformën sociale X.

CNN ka zbardhur edhe listën e shteteve që preken si Afganistani, Republika e Kongos, Haiti, Irani, Libia, Kuba, Venezuela dhe të tjerë. Këto zhvillime dhe vendime vijnë pasi një shtetas afgan u akuzua për sulmin ndaj dy anëtarëve të Gardës Kombëtare në Uashington, njëri prej të cilëve ka vdekur. Trump po shqyrton dhe mundësinë e dëbimit të familjes së autorit, Rahmanullah Lakanwal. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos