Karburanti po bëhet gjithnjë e më i shtrenjtë. Por këtë herë, në qendër të krizës nuk është vetëm benzina. Është nafta, karburanti që mban në lëvizje kamionët, anijet, makineritë bujqësore dhe një pjesë të madhe të ekonomisë globale. Çmimet e tij në Europë kanë arritur nivele rekord, ndërsa tregjet në Azi po i afrohen kulmeve të regjistruara në muajin mars. Pas kësaj krize qëndrojnë dy fronte lufte: konflikti mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit, si dhe sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse.
Dy zhvillime të largëta gjeografikisht, por që po bashkohen në një pikë të vetme: mungesën e karburantit në tregjet ndërkombëtare. Dhe kur mungesa përplaset me kërkesën, fatura paguhet nga konsumatorët, bizneset dhe ekonomitë e vendeve të ndryshme.
Philip Verleger, ekonomist i energjisë shprehet: “Ka dy faktorë kritikë. Natyrisht, i pari ishte pushtimi nga Shtetet e Bashkuara, ose sulmi i Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit, i cili çoi në mbylljen e Ngushticës së Hormuzit. Një sasi e konsiderueshme nafte kalonte përmes saj. Për më tepër, nafta bruto e Lindjes së Mesme, furnizimi me të cilën është reduktuar, janë karburanti bruto më i mirë për prodhimin e naftës. Pra, ky ishte faktori i parë.”
Ngushtica e Hormuzit është një nga arteriet më të rëndësishme të tregtisë globale të energjisë. Kur transporti në këtë korridor ndërpritet ose kufizohet, pasojat nuk mbeten vetëm në rajonin e Gjirit Persik. Ato përhapen në tregjet e naftës, në kostot e transportit dhe, më pas, në çmimet e produkteve që konsumojmë çdo ditë. Lufta mes SHBA-së dhe Iranit ka goditur furnizimet me karburant nga Gjiri Persik dhe Deti i Kuq. Ndërkohë, dëmtimi i rafinerive dhe kufizimi i eksporteve nga Lindja e Mesme kanë reduktuar edhe më tej sasinë e naftës në dispozicion. Por kjo është vetëm gjysma e historisë. Sepse një tjetër goditje po vjen nga Rusia.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha: “Problemi që kam me Ukrainën dhe Rusinë është se një pjesë e madhe e naftës dizel vjen nga Rusia dhe rafineritë ruse po goditen nga Ukraina. i kam kërkuar presidentit Zelensky të mos godasë impiantet dhe rafineritë e naftës. Dizeli po shtrenjtohet sepse po bëhet e vështirë që ai të dalë nga Rusia dhe kjo është një situatë që dëmton të gjithë botën.”
Rusia është një nga eksportuesit më të mëdhenj të naftës në botë. Por rafineritë e saj janë bërë objektiv i sulmeve ukrainase, duke dëmtuar kapacitetet e prodhimit dhe eksportit. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka pranuar publikisht se këto sulme po ndikojnë në furnizimin global. Ai i ka kërkuar presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, të mos godasë rafineritë ruse. Moska, nga ana tjetër, ka vendosur ndalim të eksporteve të produkteve të naftës, me argumentin se duhet të garantojë furnizimin e tregut të brendshëm. Rezultati është një tjetër sasi e madhe karburanti që mungon në tregun ndërkombëtar.
“Faktori tjetër, ndoshta më i rëndësishmi sot, janë sulmet e Ukrainës ndaj rafinerive ruse. Rusia eksportonte rreth një milion fuçi naftë dizel në ditë. Vende si Brazili dhe Turqia i ndaluan ato. Dhe ajo që ka ndodhur është se kemi humbur një milion fuçi në ditë nga një treg që në të gjithë botën është rreth 25 milionë fuçi në ditë”, u shpreh Verleger.
Një milion fuçi në ditë mund të duket si një shifër e vogël përballë konsumit botëror. Por në një treg ku rezervat janë të ulëta dhe furnizimi është nën presion, edhe një reduktim i tillë mund të shkaktojë tronditje të forta. Dhe naftës nuk i mungon vetëm sasia. I mungon edhe fleksibiliteti për t'u zëvendësuar shpejt. Rafineritë nuk mund të ndryshojnë brenda natës llojin e naftës bruto që përpunojnë, ndërsa rikthimi i impianteve të dëmtuara kërkon kohë. Kjo është arsyeja pse ekonomisti Philip Verleger paralajmëron se kriza mund të zgjasë shumë më tepër sesa vetë përplasjet ushtarake.
“Kjo situatë ndoshta do të zgjasë të paktën gjashtë muaj, në varësi të kohës që do të nevojitet për të rikthyer në funksion rafineritë ruse pas të gjitha sulmeve nga ukrainasit. Dhe kjo varet edhe nga koha kur Ngushtica e Hormuzit do të hapet, në mënyrë që ngarkesat me dizel të dalin përsëri nga Ngushtica dhe trafiku të rikthehet. Dhe mendoj se do të duhen gjashtë muaj pasi të ndodhin këto dy ngjarje. Pra, po flasim për të paktën gjashtë muaj. Mund të zgjasë edhe një vit”, tha Verleger.
Por ndërsa tregjet përpiqen të gjejnë furnizime të reja, në Shtetet e Bashkuara po diskutohet një masë që mund të ketë pasoja të kundërta nga ato që synon. Administrata amerikane po shqyrton mundësinë e kufizimit ose ndalimit të eksporteve të naftëit, për të ulur çmimet për konsumatorët vendas. Në pamje të parë, logjika duket e thjeshtë: më pak karburant që del jashtë vendit, më shumë furnizim brenda Amerikës dhe, rrjedhimisht, çmime më të ulëta. Por ekonomistët paralajmërojnë se tregu i naftës është shumë më kompleks. Nëse rafineritë amerikane nuk mund të eksportojnë tepricën e naftëit, ato mund të ulin edhe përpunimin e naftës bruto. Kjo do të thotë më pak prodhim jo vetëm naftë, por edhe benzine dhe produkte të tjera. Pra, një vendim i marrë për të ulur çmimet mund të përfundojë duke i rritur ato.
“Vendi i madh konsumator që mund të bëjë diçka për këtë situatë, ose më saktë dy vende, është Kina. Kina e lehtësoi presionin mbi konsumatorët e saj në fillim të kësaj krize, pas sulmit amerikan ndaj Iranit, duke ndaluar eksportet, gjë që uli çmimet e karburantit dizel për konsumatorët kinezë. Shtetet e Bashkuara po diskutojnë ndalimin e eksporteve të dizelit dhe kjo ndoshta do t’i ulte ndjeshëm çmimet në SHBA”, vijoi Verleger.
Pasojat e një vendimi të tillë nuk do të ndaleshin në kufijtë amerikanë. Europa, e cila është importuese neto e naftëit, është bërë gjithnjë e më e varur nga furnizimet amerikane gjatë vitit 2026. Eksportet nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë rënë, ndërsa Rusia ka kufizuar furnizimet.
Nëse edhe Amerika mbyll rubinetin e eksporteve, blerësit europianë do të duhet të konkurrojnë për sasi më të vogla karburanti. E njëjta gjë vlen për vendet e Amerikës Latine, Afrikës dhe Azisë. Kjo do të thotë se kriza e naftës mund të shndërrohet në një krizë më të gjerë energjetike dhe ekonomike. Dhe vendet më të varfra janë ato që rrezikojnë të goditen më rëndë.
“Kjo është e tmerrshme për vendet në zhvillim. Shikoni një vend si Bangladeshi. Tani po mbyllen fabrika, sepse nuk mund ta sigurojnë karburantin ose nuk mund ta përballojnë koston e tij. Dhe nëse nuk është dizeli, është gazi lëngshëm, dhe situata është e njëjtë. Por ka një sërë diskutimesh se si fermerët në Azi po ndryshojnë kulturat bujqësore për të reduktuar përdorimin e dizelit në pompa dhe në pajisje të tjera”, vijoi ai.
Kur naftës i rritet çmimi, efekti përhapet shumë më larg se pompat e karburantit. Rritet kostoja e transportit të mallrave, e prodhimit industrial dhe e punimeve bujqësore. Në disa vende aziatike, fermerët po shqyrtojnë ndryshimin e kulturave bujqësore për të reduktuar përdorimin e pompave që punojnë me naftë. Ndërsa në vende si Bangladeshi, mungesa dhe kostoja e lartë e energjisë po detyrojnë fabrikat të ndalojnë aktivitetin.
Në këtë krizë ka edhe përfitues. Rafineritë dhe kompanitë e naftës po përfitojnë nga marzhet e larta të fitimit, ndërsa konsumatorët përballen me çmime më të shtrenjta dhe me rrezikun e inflacionit. Një kontrast që e bën krizën jo vetëm ekonomike, por edhe politike.
“Kjo po krijon një mundësi për vendet që kanë infrastrukturën e nevojshme, si Kina, e cila ka kapacitete të tepërta rafinimi dhe të tjera të ngjashme. Dhe Kina përfiton nga fakti se ka bërë gjënë e duhur për sa i përket ngrohjes globale, duke kaluar drejt energjisë elektrike. Ky është një qëndrim politik për ngrohjen globale. Natyrisht, zyrtarët amerikanë nuk janë dakord. Por ata kanë punuar fort për të reduktuar përdorimin e karburanteve dhe për të kaluar drejt elektrifikimit. Kështu, kanë këtë tepricë karburanti dhe janë përpjekur ta menaxhojnë mirë, duke e përdorur për të rritur eksportet e tyre të energjisë së rinovueshme dhe, në të njëjtën kohë, për t’i mbajtur këto vende në këmbë”, tha Verleger.
Në këtë krizë, nafta nuk është thjesht një mall që blihet dhe shitet në treg. Ajo është instrument presioni, armë ekonomike dhe faktor që mund të ndryshojë marrëdhëniet mes aleatëve. Ukraina godet kapacitetet ruse të përpunimit të naftës. Rusia kufizon eksportet. Lufta në Lindjen e Mesme ndërpret rrugët e furnizimit. Ndërsa Shtetet e Bashkuara përballen me dilemën nëse duhet të mbajnë karburantin brenda vendit apo të vazhdojnë furnizimin e tregjeve ndërkombëtare. Dhe ndërsa qeveritë llogarisin interesat strategjike, qytetarët përballen me një realitet shumë më të drejtpërdrejtë: koston e transportit, të ushqimeve dhe të energjisë. Ekspertët paralajmërojnë se rikthimi i normalitetit mund të kërkojë të paktën gjashtë muaj, ndoshta edhe një vit. Pra, edhe nëse armët heshtin, pasojat ekonomike të luftës mund të vazhdojnë. Sepse në ekonominë globale, një rafineri e goditur në Rusi apo një anije e bllokuar në Hormuz mund të ndihet në faturën e karburantit, në çmimin e bukës dhe në xhepin e çdo familjeje.
“Investitorët e Valero-s, investitorët e Marathon-it, ndoshta edhe investitorët e kompanive të integruara, janë përfitues të mëdhenj të kësaj situate. Siç thashë, marzhet janë 100 dollarë për fuçi për dizelin. Ato janë të larta edhe për produkte të tjera. Çmimet e ushqimeve janë më të larta. Nëse do t’i pyesnit në fshehtësi, jam i sigurt se, nga pikëpamja e fitimeve, njerëzit në industrinë e naftës do të thoshin: shpresojmë që luftërat të vazhdojnë. Ata janë përfitues të mëdhenj të kësaj situate. Po fitojnë shumë para prej saj”, u shpreh ai. (A2 Televizion)