Pentagoni ka njoftuar se ekzekutimi i ish-majorit të ushtrisë amerikane, Nidal Hasan, i dënuar për vrasjen e 13 ushtarëve të paarmatosur në bazën Fort Hood në vitin 2009, mund të transmetohet drejtpërdrejt për publikun. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se Hasan do të ekzekutohet me pushkatim, ndërsa ekzekutimi është planifikuar për 3 dhjetor në Teksas.
Nëse realizohet, ky do të ishte ekzekutimi i parë ushtarak me pushkatim në Shtetet e Bashkuara që nga Lufta e Dytë Botërore dhe transmetimi i parë i këtij lloji drejtpërdrejt për publikun në gati një shekull.
Vendimi ka shkaktuar polemika të forta, me senatorin demokrat Chris Murphy që e cilësoi idenë e transmetimit si të neveritshme, ndërsa ekspertë ligjorë paralajmërojnë për pikëpyetje serioze mbi ligjshmërinë e saj.
Ish-ushtari Alonzo Lunsford, i cili u qëllua shtatë herë gjatë sulmit, mbështet ekzekutimin, por shpreh shqetësim se çfarë mesazhi mund t’u përcjellë transmetimi të rinjve.
Sipas ekspertëve, procesi i apelimit të dënimit të Hasanit nuk ka përfunduar dhe një betejë e re ligjore mund ta shtyjë ekzekutimin për vite me radhë.
Vendimi për ekzekutimin është miratuar nga presidenti Donald Trump, sipas Pentagonit, ndërsa Shtëpia e Bardhë nuk ka konfirmuar ende nëse ai mbështet edhe transmetimin e drejtpërdrejtë. Kjo vjen pas rastit me Christa Pike, e cila u mbijetoi dy injeksioneve gjatë zbatimit të dënimit me vdekje. (A2 Televizion)