Sulmi me armë në Uashington, ndërron jetë një anëtare e Gardës Kombëtare

Nga A2 CNN
28 Nëntor 2025, 10:15 | Bota

Sulmi me armë në Uashington, ndërron jetë një

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se një nga dy anëtarët e Gardës Kombëtare, që u qëlluan të mërkurën afër Shtëpisë së Bardhë, ka vdekur.

“Ajo u sulmua egërsisht, ajo ka vdekur”, tha Trump për një grua 20-vjeçare që shërbente në Gardën Kombëtare të Virxhinias Perëndimore.

Të mërkurën pasdite, dy anëtarë të Gardës Kombëtare që po patrullonin afër një stacioni metroje, jo larg Shtëpisë së Bardhë, u sulmuan me armë zjarri.

Trump tha se anëtari tjetër i gardës, një burrë 24 vjeç, po lufton për jetë.

Ndihmësshefi i Policisë në Uashington, Jeffrey Carroll, tha se i vetmi i dyshuar për të shtënat u neutralizua nga anëtarë të tjerë të Gardës Kombëtare, është arrestuar dhe është dërguar në spital për trajtim mjekësor.

Avokatja për Qarkun e Kolombias, Jeanine Pirro, tha se sulmuesi i dyshuar është një 29-vjeçar me shtetësi afgane që jetonte në shtetin e Uashingtonit. Ai raportohet se kishte udhëtuar për në kryeqytetin amerikan ku kreu sulmin.

I dyshuari ka përdorur pistoletë gjatë sulmit dhe përballet me 15 vjet burgim për ngjarjen, tha Pirro. Ajo tha se ende nuk është i qartë motivi i sulmit.

Trump i ka cilësuar të shtënat si “akt të terrorit”./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos