Tragjedi në Gjilan, burri vret gruan, të afërmin dhe plagos një tjetër

Nga Erjon Dervishi
9 Tetor 2026, 19:07 | Aktualitet

Një tragjedi ka ndodhur në qytetin e Gjilanit në Kosovë. Dy persona janë vrarë dhe një tjetër ka mbetur i plagosur si pasojë e shtënave me armë zjarri në Livoç të Ulët. Policia rajonale e Gjilanit ka njoftuar se ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 14:25 të së premtes.

“Menjëherë pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, si dhe dy prokurorë të Shtetit, me ç’rast është konstatuar se bëhet fjalë për një incident të rëndë, ku dyshohet se nga arma e zjarrit është vrarë një person i gjinisë mashkullore rreth 30-vjeçar i cili është gjetur brenda një veture”, thuhet në njoftim.

Në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan është sjellë pa shenja jete një grua, rreth 30-vjeçe, e cila dyshohet se po ashtu është vrarë nga arma e zjarrit nga i njëjti person.

Ndërkohë, një person tjetër, i cili ka pësuar lëndime nga arma e zjarrit, pas marrjes së ndihmës së parë në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për trajtim të mëtejshëm mjekësor.

Sipas informatave fillestare, dyshohet se në mes të të dyshuarit dhe viktimave ekziston një lidhje familjare. Deri në këtë fazë të hetimeve, motivi që ka çuar në këtë ngjarje të rëndë ende nuk dihet.

I dyshuari është vetëdorëzuar, ndërsa gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast.

Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitë relevante hetimore, është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimit të motivit dhe dokumentimit të rastit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos