Gjykata e Posaçme vendosi të premten të lirojë nga qelia Leli Kajën, administatorin e kompanisë që menaxhon inceneratorin e Elbasanit. Ndaj të akuzuarit nga SPAK për “korrupsion të funksionarëve publikë” u caktua masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Kaja u mbrojt në gjyq nga avokati Lefter Xhengo, që mepjesëmarrjen, theu bojkotin e avokatëve në GJKKO. Duke e konsideruar si shkelje të rëndë disiplinore, pas seancës, në një mbledhje urgjente Komiteti Disiplinor i Dhomës Kombëtare të Avokatisë vendosi t’i pezullojë për dy vjet lincesën e ushtrimit të profesionit avokatit Xhengos.
Në të njëjtën mbledhje u shqyrtua edhe thyerja e bojkotit gjatë së enjtes ndaj avokatit që përfaqësoi nënën e burgosur të një foshnjeje 4-muajshe.
Për shkak të karakterit humanitar dhe faktit se klienten e kishte edhe familjarë, Dhoma e avokatisë caktoi ndaj tij vetëm masën disiplinore të “vërejtjes dhe këshillimit”.
Avokatët bojkotojnë gjykimet në themel në Gjykatën e Posaçme prej 8 shtatorit, si revoltë ndaj rregullores së brendshme të kësaj gjykate, që sipas tyre i cënon ata në ushtrimin e detyrës. Më 23 shtator, bojkoti u përshkallëzua edhe tek seancat për caktimin e masave të sigurisë (A2 Televizion)