Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po shqyrton disa mundësi, duke përfshirë sulme në tokën venezueliane kundër karteleve të drogës. Kështu raportoi CNN duke cituar burime të njohura me planet e administratës së tij.
Nëse operacionet ushtarake do të nisnin vërtet në territorin e vendit të Amerikës Latine, kjo do të ishte një përshkallëzim i madh i tensioneve të vazhdueshme midis Uashingtonit dhe Karakasit.
Më herët këtë javë, ushtria amerikane goditi një motoskaf që ishte nisur nga Venezuela në ujërat ndërkombëtare në Karaibe. Sipas presidentit amerikan, anija mbante “drogë” dhe sulmi vrau “11 narko-terroristë”.
Sulmi shënoi fillimin e një operacioni shumë më të gjerë që synonte ndalimin e trafikut të drogës në rajon dhe ndoshta rrëzimin e presidentit venezuelian Nicolas Maduro, të cilin Uashingtoni e ka etiketuar si “bos karteli”, sipas burimeve të CNN.
I pyetur dje nëse SHBA-të po planifikonin ndryshim regjimi në Venezuelë, Trump u tha gazetarëve se "nuk po flasim për këtë, por po flasim për faktin se ata patën zgjedhje që ishin shumë të çuditshme, për ta thënë butë".
Nga ana tjetër, Maduro kërkoi që Uashingtoni të respektojë sovranitetin kombëtar të vendit të tij.
"Qeveria amerikane duhet të braktisë planin e saj për ndryshim të dhunshëm të regjimit në Venezuelë ose në çdo vend tjetër në Amerikën Latine dhe të respektojë sovranitetin e saj kombëtar, të drejtën për paqe dhe pavarësi", tha ai në një deklaratë. (A2 Televizion)