Debate të nxehta në OKB, Guterres: SHBA nuk respektoi ligjin ndërkombëtar

Nga Rosalba Bejdo
6 Janar 2026, 13:37 | Bota

Debate të nxehta në OKB, Guterres: SHBA nuk respektoi ligjin

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u shpreh i shqetësuar për përhapjen e destabilitetit në Venezuelë gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Sigurimit. Ai tha se operacioni amerikan nuk respektonte rregullat e ligjit ndërkombëtar, teksa citoi Kartën e OKB-së, sipas së cilës shtetet anëtare duhet të përmbahen nga kërcënimet apo përdorimi i forcës kundër integritetit territorial apo pavarësisë politike të çdo shteti.

Deklarata e tij u lexua nga zëvendëssekretarja për çështje politike dhe të paqes, Rosemary DiCarlo. “Unë kam theksuar vazhdimisht domosdoshmërinë e respektimit të plotë nga të gjithë të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë Kartën e Kombeve të Bashkuara, e cila siguron themelin për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, shkruan A2. Mbetem thellësisht i shqetësuar që rregullat e së drejtës ndërkombëtare nuk janë respektuar në lidhje me veprimin ushtarak të 3 janarit. Karta ndalon përdorimin e forcës kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të çdo shteti”.

Ambasadori amerikan në OKB, Mike Waltz, i tha Këshillit të Sigurimit se SHBA kishte kryer një operacion kirurgjikal të zbatimit të ligjit kundër dy të akuzuarve në arrati të drejtësisë amerikane. Ai citoi fjalët e sekretarit të shtetit Maduro se nuk ka luftë kundër Venezuelës dhe se nuk po e pushtojnë vendin.

Ambasadori venezuelian në OKB, Samuel Moncada, e cilësoi operacionin për kapjen e Maduros si një sulm të armatosur të paligjshëm që nuk kishte asnjë justifikim ligjor. Rusia, Kina dhe Kolumbia e dënuan gjithashtu operacionin ushtarak si të paligjshëm, ndërsa pjesa tjetër e mbetur e anëtarëve të Këshillit nuk e kritikuan drejtpërdrejt SHBA-në, por e vunë theksin tek rëndësia e respektimit të ligjit ndërkombëtar.

Analistët thonë se Rusia vërtet ka humbur një aleat në Amerikën Latine, por ajo shpreson të përfitojë nga ajo që e quajnë realpolitika e “Wild West-it”. “Nëse ky është një shembull i doktrinës Monroe në aksion, atëherë edhe Rusia ka të drejtën të ketë sferën e vet të influencës”, ishte deklarata e një zyrtari rus, i cituar nga Reuters. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos