Dështon Europa, ministri britanik: Nuk ka paqe njëmujore në Ukrainë

Nga Erjon Dervishi
3 Mars 2025, 23:45 | Bota

Europa ka dështuar në arritjen e një plani afatgjatë për një armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës. Ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, Luke Pollard, ka thënë për BBC se "asnjë marrëveshje" nuk është bërë midis francezëve dhe britanikëve për një propozim armëpushimi njëmujor të Ukrainës, e cila është raportuar më parë nga mediat ndërkombëtare. 

I pyetur për planin, të cilën Macron e bëri publik për “Le Figaro”, Luke Pollard i tha BBC: "Ky nuk është një plan që ne e njohim aktualisht".

Ai shton se “një sërë opsionesh të ndryshme” po diskutohen “privatisht”.

Pollard shtoi se ajo që ka rëndësi është ndërtimi i një plani që sjell paqe të qëndrueshme "sa më shpejt të jetë e mundur", përcjell A2.

Ai gjithashtu i tha BBC se SHBA është "një aleat kyç" dhe "do të ketë mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar", duke përmendur "marrëdhëniet e thella të mbrojtjes" midis dy vendeve.

Reagimi i Pollard vjen pasi kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, mbajti një samit të liderëve evropianë për të diskutuar arritjen e paqes në Ukrainë, vetëm dy ditë pas vizitës dramatike të Presidentit të Ukrainës Volodymr Zelensky në Uashington DC.

Ndërkohë, në dritën e zhvillimeve të reja, Kremlini ka bërë të ditur se Perëndimi po shkërmoqet. 
"Ne shohim se Perëndimi kolektiv ka filluar të humbasë pjesërisht kolektivitetin e tij. Ka filluar një lloj copëzimi i Perëndimit kolektiv, një formim i pozicioneve të nuancuara të një sërë vendesh dhe grupesh vendesh. Mbetet një grup vendesh, që më tepër përbën palën e luftës, e cila deklaron se janë të gatshëm të mbështesin më tej Ukrainën në drejtim të mbështetjes së luftës", tha Sergei Lavrov.

Sakaq, bëhet e ditur se forcat ruse goditën një kamp trajnimi ukrainas, duke shkaktuar vdekje dhe lëndime, njoftoi komandanti i forcave tokësore të Kievit. Gjenerali nuk e dha numrin e viktimave apo të plagosurve, por sipas mediave ukrainase duke cituar dy burime nga Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës - ka "disa dhjetëra të vdekur dhe deri në njëqind të plagosur".  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos