"Dhurata" 850 milionë dollarë, SHBA miraton dërgimin e raketave ERAM në Ukrainë

Nga A2 CNN
25 Gusht 2025, 10:07 | Bota

"Dhurata" 850 milionë dollarë, SHBA miraton dërgimin e

Shtetet e Bashkuara kanë miratuar një marrëveshje me vlerë rreth 850 milionë dollarë për të furnizuar Ukrainën me 3,350 raketa të tipit ERAM, sipas një raportimi të The Wall Street Journal, që citon zyrtarë amerikanë.

Dërgesa pritet të arrijë në duart e forcave ukrainase brenda gjashtë javësh, ndërsa financimi i kësaj pakete ushtarake do të mbulohet kryesisht nga vendet evropiane. Përveç raketave, paketa përfshin edhe pajisje të tjera ushtarake shtesë.

Raketat ERAM kanë aftësi për të goditur objektiva në një distancë që varion nga 241 deri në 450 kilometra. Megjithatë, përdorimi i tyre do të kërkojë një autorizim të veçantë nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes.

Miratimi i kësaj pakete ishte vonuar përkohësisht për shkak të bisedimeve midis presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit amerikan Donald Trump në Alaskë, si dhe diskutimeve me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Uashington.

Sipas The Wall Street Journal, edhe pse SHBA nuk ka njoftuar për dërgesa të tjera raketash, armë të tjera të blera nga qeveritë evropiane nëpërmjet Uashingtonit — si sistemet e mbrojtjes ajrore dhe raketat GMLRS me një rreze prej rreth 150 kilometrash, mund të forcojnë më tej arsenalin ushtarak të Ukrainës.

Më herët, gazeta kishte raportuar se Pentagoni kishte kufizuar për disa muaj përdorimin nga Ukraina të armëve me rreze të gjatë ndaj objektivave në territorin rus. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos