Një xhami në qytetin Peacehaven, pranë Brighton-it në jug të Anglisë, është përfshirë nga flakët mbrëmjen e së shtunës, në një ngjarje që policia britanike po e heton si sulm të qëllimshëm dhe krim urrejtjeje. Dy persona që ndodheshin brenda objektit shpëtuan për mrekulli, pasi atentatorët, të maskuar me kapuça, tentuan të hapnin derën e xhamisë përpara se të hedhin benzinë në hyrje dhe t’i vinin zjarrin, shkruan A2 CNN.
CNN raporton se administratori i xhamisë, i cili preferoi të mbetej anonim, në momentin e sulmit brenda ndodheshin drejtuesi i xhamisë dhe një besimtar tjetër, të dy në të gjashtëdhjetat, të cilët po pinin çaj pas faljes së mbrëmjes. Ata dëgjuan një shpërthim të fortë dhe arritën të dilnin jashtë, ndërsa flakët përfshinë hyrjen kryesore. “Ata mund të kishin vdekur lehtësisht”, tha menaxheri, duke shtuar se “autorët erdhën me qëllim për të shkaktuar sa më shumë dëme”.
Zjarri shkaktoi dëme të konsiderueshme në pjesën e përparme të xhamisë dhe në makinën e kryetarit, që ishte e parkuar jashtë. Fatmirësisht, askush nuk u lëndua. Policia e Sussex-it konfirmoi se ka shtuar patrullimet përreth vendeve të tjera të kultit për të garantuar sigurinë e kmuniteteve fetare.
Vetëm disa ditë më parë, dy besimtarë hebrenj u vranë në një sulm me makinë dhe thikë jashtë një sinagoge në Manchester. Këto episode kanë nxitur frikë dhe pasiguri në Britani, ku rastet e islamofobisë dhe antisemitizmit janë shtuar ndjeshëm gjatë muajve të fundit. Kryeministri Keir Starmer ka bërë thirrje për unitet kombëtar dhe përballje me valën e re të urrejtjes që po përhapet në vend. (A2 Televizion)