Dikur kritik i Trump, kush është James David Vance?

Nga Eno Luarasi
5 Nëntor 2024, 17:32 | Bota

Dikur ishte kritiku i tij më i fortë, por Donald Trump e zgjodhi si kandidatin për zëvendës president të Shtetetve të Bashkuara nën logon e Partisë Republikane. Senatori nga Ohiao dhe autor i kujtimeve më të shitura “Hillbilly Elegy”, JD Vance është bërë një nga mbrojtësit më të dalluar të ish Presidentit Amerikan. 

Përzgjedhja e James David Vance mund të ndihmojë në rritjen e popullaritetit të Trump në zgjedhjet e 5 nëntorit, veçanërisht në disa nga shtetet e lëkundura, ku zgjedhjet ka të ngjarë të vendosin fituesin. Vance gëzon mbështetje popullore në bazën republikane dhe mesazhi i tij populist është i përshtatshëm për shtetet që kanë popullsi të konsiderueshme të bardhë, të klasës punëtore dhe kanë vuajtur nga de-industrializimi.

Megjithëse një konservator i vendosur, Vance nuk ka gjasa të sjellë shumë votues të rinj në krahun e Trump, dhe madje mund të largojë disa të moderuar, mendojnë analistët në SHBA. Disa nga mbështetësit republikanë, i patën sugjeruar Trump të zgjidhte një grua ose person me ngjyrë si numrin 2 të tij për të zgjeruar koalicionin që anon drejt personave të bardhë.

Në moshën 39-vjeçare, Vance përfaqëson një brez të ri ndërsa në krah të tij qëndron Trump 78-vjeçar. Ngjitja e shpejtë e Vance ka qenë e pazakontë për politikën amerikane. Pas një fëmijërie të varfër në Ohajon jugore, ai shërbeu në ushtrisë pranë Trupave të Marinës, fitoi një bursë në Shkollën Juridike të Yale dhe më vonë punoi si kapitalist sipërmarrës në San Francisko.

Vetë Vance kritikoi ashpër Trumpin para dhe pas fitores së tij në zgjedhjet e vitit 2016, kundër kandidates demokrate për presidente Hillary Clinton, duke e quajtur atë një "idiot" dhe "Hitlerin e Amerikës", për të përmendur disa nga epitetet. Por ndërsa Vance përgatitej për të kandiduar për Senatin e SHBA në Ohio në 2022, ai u shndërrua në një nga mbrojtësit më të qëndrueshëm të ish-presidentit, duke mbështetur Trump edhe kur disa kolegë të Senatit refuzuan ta bënin këtë.

Në qasjen e tij politike dhe ekonomike, JD Vance, ka përqafuar politikën e barrierave tregtare, izolacionizmin dhe konservatorizmin social, çështje që janë dëshmuar të njohura me pjesën më të madhe të bazës së klasës punëtore, kryesisht të bardhë të Donald Trump. 

Vance ka qenë prej kohësh një kundërshtar i të drejtave të abortit, megjithëse ai e ka zbutur pozicionin e tij për këtë çështje kohët e fundit dhe tani thotë se është në një linjë me Trump për këtë çështje. Vance ka qenë një kundërshtar i ashpër i ndihmës për Ukrainën dhe ndonjëherë ka shprehur edhe më shumë skepticizëm për përfshirjen e Amerikës në konflikt sesa Trump.

Vance ka thënë se Ukraina nuk ka asnjë shans për të rimarrë të gjithë territorin që ka marrë Rusia dhe në shtator ai tha se një plan paqeje ka të ngjarë të nënkuptojë ngrirjen e vijave të betejës në pozicionin e tyre aktual, një politikë që Kievi e kundërshton. Nëse Ukrainën nuk e mbështet, Vance ka mbështetur vazhdimisht Izraelin. Kjo është në përputhje me qëndrimin e Trump, edhe pse ish-presidenti fillimisht kritikoi liderët izraelitë për dështimin në parandalimin e sulmit të Hamasit vitin e kaluar.

Vance ka hedhur poshtë kritikat se Izraeli nuk ka bërë mjaftueshëm për të shmangur dëmtimin e civilëve në Gaza. Vance gjithashtu mbështet masat të cilat pengojnë ose kufizojnë imigracionin legal. Ai ka propozuar ta bëjë më të vështirë për emigrantët marrjen e kërkesave për azil.

Si zëvendëspresident, Vance do të ketë pak kontroll mbi vendimet e rëndësishme në SHBA, megjithëse ai mund të ishte trashëgimtari i Trump në vitin 2028 nëse ish-presidenti fiton zgjedhjet e 5 nëntorit kundër demokratëve të zëvendëspresidentes Kamala Harris dhe shokut të saj kandidat, guvernatorit të Minesotës, Tim Walz. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos