Sot është një ditë vendimtare për paqen në Gaza. Presidenti amerikan, Donald Trump, pret në Zyrën Ovale kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanjahu. Në fokus të bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë do të jetë plani 21 pikësh për përfundimin e luftës në Rripin e Gazës.
“Ne kemi një mundësi reale për madhështi në Lindjen e Mesme. Të gjithë janë pajtuar për diçka shumë speciale, për herë të parë në histori”, njofton presidenti amerikan përmes rrjeteve sociale, duke premtuar se takimi mes Netanjahun do të ketë një rezultat pozitiv.
Por në një intervistë me Fox News, kryeministri izraelit nuk tha se e kishte pranuar planin. “Po punojmë për të”, tha ai. “Nuk është finalizuar ende”. Kurse Hamasi njoftoi se nuk kishte marrë asnjë propozim të ri për armëpushim. Në një deklaratë, Hamasi përsëriti “gatishmërinë për të shqyrtuar çdo propozim që merr nga vëllezërit e tij ndërmjetës në një mënyrë pozitive dhe të përgjegjshme, duke ruajtur njëkohësisht të drejtat kombëtare të popullit palestinez”.
Netanyahu pritet të paraqesë rezerva dhe të shtyjë për ndryshime në planin e armëpushimit, thanë të dielën tre zyrtarë izraelitë, duke nënvizuar vështirësinë e arritjes së një marrëveshjeje, edhe nëse shumë nga detajet janë përpunuar paraprakisht.
Ai kërkon që të kufizojë rolin e Katarit në Gazën e pasluftës. Edhe vende të ndryshme arabe dhe Autoriteti Kombëtar Palestinez i kanë kërkuar administratës amerikane që të modifikojë planin për paqen në Rripin e Gazës. Sipas medias izraelite, Channel 12, ata kërkojnë riformulimin e pikës për dorëzimin e armëve nga Hamasi.
Por paqja nuk vjen nga qielli për palestinezët në Gaza… por vetëm vdekja, shkatërrimi dhe disa fletushka të hedhura nga ushtria e Izraelit. Në to lexohej kërkesa e qartë për civilët që të largoheshin nga qyteti kryesor i enklavës, ku IDF vijon me ofensivën e ashpër tokësore. Protestat ndaj kryeministrit Netanyahu në Izrael nuk kanë ndalur, ndërsa, një instalacion i madh arti është parë në një plazh në Tel Aviv, me imazhe të Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe Kryeministrit të Izraelit përballë njëri-tjetrit me fjalët “Mos u mashtroni përsëri”. Në vepër, Netanyahu shfaqet me një hundë të gjatë. (A2 Televizion)