
Udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka deklaruar se vendi do të mbrojë me vendosmëri kapacitetet e tij bërthamore dhe raketore, duke i cilësuar ato si thelbësore për sigurinë dhe sovranitetin kombëtar.
Sipas tij, iranianët i shohin këto kapacitete “si kapital kombëtar” dhe janë të vendosur t’i ruajnë ato njësoj si kufijtë e tyre ujorë, tokësorë dhe ajrorë. Kjo deklaratë shihet si një kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë ndaj kërkesave të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka bërë thirrje për çmontimin e programeve bërthamore dhe raketore të Iranit, përcjell A2CNN.
Deklarata e Khameneit vjen në një moment tensionesh të larta rajonale dhe presioni të shtuar ndërkombëtar ndaj Teheranit, duke sinjalizuar se Irani nuk ka ndërmend të bëjë lëshime në këto fusha strategjike. Ai la të kuptohet se këto kapacitete konsiderohen jo vetëm mjete mbrojtëse, por edhe simbol i pavarësisë dhe qëndrueshmërisë së vendit përballë presioneve të jashtme.
Në këtë kontekst, qëndrimi i Iranit pritet të ndikojë në përshkallëzimin e mëtejshëm të debatit ndërkombëtar mbi programin e tij bërthamor dhe rolin e tij në sigurinë e rajonit të Lindjes së Mesme.
Kjo është "vija e demarkacionit" në negociatat SHBA-Iran dhe duket që ky kufi nuk do të tolerohet nga asnjëra palë dhe ndaj, me rifuqizimin ushtarak të palëve në konflikt dhe vendosjen e marinës amerikane pranë Gjirit Persik, parathuhet një ballafaqim i ri ushtarak ndërmjet koalicionit amerikano-izraelit dhe Iranit. (A2 Televizion)