Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, thotë se dorëzimi i territorit është një problem serioz, pasi do të hapte edhe më shumë oreksin e liderit të Rusisë. Ai i konsideron bisedimet e Gjenevës të mira dhe kërkon që edhe Amerika të mbështesë qëndrimin europian.
“Tani për tani, jemi në një moment kritik dhe po bashkëpunojmë ngushtë me Shtetet e Bashkuara, me partnerët europianë, me shumë, shumë të tjerë për të përcaktuar hapat që mund t’i japin fund luftës së Rusisë kundër nesh, kundër Ukrainës dhe të sjellë siguri të vërtetë. Në hapat që kemi koordinuar me palën e SHBA-së, kemi arritur të mbajmë në tryezë pika jashtëzakonisht të ndjeshme, duke përfshirë lirimin e plotë të të gjithë të burgosurve të luftës ukrainas sipas formulës “të gjithë për të gjithë” dhe civilëve, si dhe kthimin e plotë të fëmijëve ukrainas të rrëmbyer nga Rusia”, tha Zelensky, përcjell A2 CNN.
“Këta janë hapa të rëndësishëm, por për të arritur paqe të vërtetë, nevojitet shumë, shumë më tepër. Është thelbësore të mbështeten parimet mbi të cilat qëndron Europa: që kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë, që kriminelët e luftës nuk duhet t’i shpëtojnë drejtësisë dhe që agresori duhet të paguajë plotësisht për luftën që ka filluar. Dhe kjo është arsyeja pse vendimet mbi asetet ruse janë thelbësore. Putini dëshiron njohje ligjore të asaj që vodhi... jo vetëm nga Ukraina, ai e dëshiron atë nga e gjithë bota, dhe kjo është shumë e rrezikshme”. (A2 Televizion)
