Një dramë e vërtetë është regjistruar në rajonin e Kalabrisë, në Itali. Një grua 53-vjeçare italiane me partnerin e saj senegalez rrëmbyen një të porsalindur nga një maternitet, por fatmirësisht historia u mbyll me një fund të lumtur.
Gjithçka ndodhi në një maternitet në qytetin e Cozensa, ku një 53-vjeçarja u shtir si infermiere dhe i kërkoi nënës t'i jepte disa minuta për të ndërruar pelenën e vajzës që kishte ardhur në jetë vetëm një ditë më parë dhe për ta çuar te pediatri për një vizitë.
Infermierja e supozuar, duke pasur fytyrën e mbuluar me një maskë u largua me foshnjën. Partneri i saj senegalez po e priste në një korridor ngjitur të maternitetit. Ata e futën të porsalindurin në një karrocë fëmijësh, të cilën e kishin sjellë nga shtëpia e tyre dhe u zhdukën.
Pas pak minutash, kur nëna 27-vjeçare e vajzës kuptoi se çfarë kishte ndodhur, alarmi u ngrit, ku policia dhe karabinierët bllokuan të gjitha rrugët që të çojnë në Cozensa.
Falë kamerave të sigurisë, policia arriti të lokalizojë çiftin, i cili jeton afërsisht 15 kilometra larg maternitetit. Ata u kapën dhe i porsalinduri iu kthye menjëherë prindërve.
“Faleminderit të gjithëve, brenda pak orësh, me këtë histori, vdiqëm dhe u ringjallëm”, shkruan prindërit në llogaritë e tyre në rrjetet sociale.
Njëzet e katër orë më parë, dy rrëmbyesit kishin postuar në internet një foto, në të cilën dukeshin vetëm duart e foshnjës, ku njoftonin se kishin sjellë në jetë një djalë dhe kishin organizuar një festë pranë shtëpisë së tyre, duke ftuar të afërm dhe miq.
Madje, 53-vjeçarja italiane për nëntë muaj u shtir si shtatzënë, me truke të ndryshme. Në fund, nga hetimet rezultoi se, pak para rrëmbimit disa orësh, ata kishin tentuar të merrnin një tjetër të porsalindur nga i njëjti maternitet, por nëna e tij nuk kishte pranuar t’ia dorëzonte infermieres së dyshuar, e cila këmbënguli se ajo duhet ta lante dhe t’ia ndryshonte pelenën. (A2 Televizion)