Drone dhe raketa mbi Odesan, Rusia kërkon bisedime direkte me Kievin

Nga Erjon Dervishi
22 Prill 2025, 14:13 | Bota

Vladimir Putin dëshiron të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me Ukrainën. Në këtë mënyrë pritet të mënjanohet edhe prezenca e ndërmjetësuesve perëndimore në këtë çështje. Ky fakt është konfirmuar nga Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

I cituar nga agjencia e lajmeve Interfax, Peskov u tha gazetarëve se: "Kur presidenti Putin tha se ishte e mundur të diskutohej çështja e mosgoditjes së objektivave civile, përfshirë edhe dypalëshin, presidenti kishte parasysh negociatat dhe diskutimet me palën ukrainase".

Nuk ka pasur bisedime të drejtpërdrejta midis dy palëve që nga javët e para pas pushtimit rus në shkurt 2022.

Nga ana e tij, Zelensky nuk iu përgjigj drejtpërdrejt propozimit të Putinit, ai theksoi në fjalimin e tij të natës se Ukraina "ishte e gatshme për çdo bisedë" për një armëpushim që do të ndalonte sulmet ndaj civilëve.

"Ukraina i qëndron propozimit të saj për të mos sulmuar infrasktrukturën civile. Ne po presim një përgjigje të saktë nga Moska. Ne jemi gati për çdo bisedim për mënyrën se si ta arrijmë këtë. Ka një rrugë të qartë dhe të thjeshtë, të ndalohen sulmet me raketa me rreze të gjatë dhe goditjet me dronë, e cila automatikisht do të çojë në mbrojtjen e infrastrukturës civile. Një armëpushim, i vërtetë dhe afatgjatë, duhet të jetë hapi i parë drejt paqes”, tha Volodymyr Zelensky.

Sakaq pritet që Ukraina të marrë pjesë në bisedimet me Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane të mërkurën në Londër, tha Zelensky. Diskutimet janë një vazhdim i një takimi në Paris javën e kaluar, ku Shtetet e Bashkuara dhe shtetet evropiane diskutuan mënyrat për t'i dhënë fund luftës më shumë se tre-vjeçare.

Ndërkohë luftimet kanë vijuar në rajonin e Odesës. Forcat ruse kanë nisur një sulm masiv me dron në qytetin port ukrainas të Odessa. Numri i personave të plagosur është në tre. Sulmi kishte në shënjestër një ndërtesë banimi në një lagje me popullsi të dendur, tha kryetari i bashkisë së qytetit. Zjarret shpërthyen pas goditjes së dronëve ndërsa disa apartamente u shkatërruan. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos